Një ndërtim i ri pritet të marrë formë në zonën e njohur si Kodër Vila në Durrës, duke sjellë një tjetër ndërhyrje urbane në një hapësirë që deri më tani ka ruajtur karakterin e saj natyror.
Në këtë zonë kodrinore pranë “Vilës së Zogut”, e cila për vite me radhë ka mbetur relativisht e paprekur nga ndërtimet intensive, kompania Rajfi Group synon të zhvillojë një kompleks rezidencial.
Sipas planit, objekti do të ketë 1-7 kate mbi tokë dhe 1 deri në 3 kate nën tokë. Parcela ku do të ndërtohet kompleksi ka një sipërfaqe prej 15,977 m² dhe ndodhet rreth 800 metra larg rrugës kryesore bregdetare.
Leja e zhvillimit është miratuar në fund të janarit 2026 dhe është firmosur nga drejtoresha e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, Adelajda Roka.
Projekti parashikon ndërtimin në faqen e kodrës, duke shfrytëzuar pamjen e hapur drejt detit Adriatik. Megjithatë, kjo ndërhyrje ngre pikëpyetje mbi ndikimin që mund të ketë në peizazhin natyror dhe ekuilibrin e zonës.
Në përshkrimin e projektit theksohet se vendndodhja është e favorshme për zhvillim rezidencial dhe hoteleri, duke u mbështetur në mjedisin natyror dhe pozicionin e privilegjuar.
Gjithashtu, afërsia me Vilën e Ahmet Zogut, një objekt me vlerë historike dhe arkitektonike, përmendet si një element që i shton prestigj zonës, ndonëse mbetet për t’u parë se si ky zhvillim do të ndikojë në identitetin e saj.
Ndërkohë, prania e pishave dhe gjelbërimit që i kanë rezistuar urbanizimit të tre dekadave të fundit rrezikon të zëvendësohet nga aktiviteti ndërtimor, pasi pritet që punimet të nisin në vijim me përdorimin e mjeteve të rënda.
Komente












