Durrës- Viti i ri shkollor ka nisur edhe me problematika të ndryshme në disa prej institucioneve arsimore, si nga rënia e numrit të nxënësve të regjistruar, deri tek mungesa e ambienteve për shkak të rikonstruksioneve të papërfunduara në disa godina.

Prindër dhe nxënës të shkollës 9-vjeçare Bisht-Kamëz, të Njësisë Administrative Katund i Ri në Durrës, u tubuan sot (11 Shtator) përpara ZVAPD (Zyra Vendore Arsimore Parauniversitare Durrës).

Fëmijët e këtij fshati ende nuk e  kanë nisur vitin e ri shkollor, për shkak të një vendimi, sipas të cilit ata duhet të transferohen në shkollën 9-vjeçare të Qerretit. Prindërit thonë se për këtë vendim janë njoftuar vetëm 2 apo 3 ditë para se të niste shkolla.

Ata nuk janë të qartë se përse është marrë ky vendim. Një përfaqësuese e ZVAPD u tha se “shkolla do t’i nënshtrohet rikonstruksionit, ndaj është vendosur transferimi i tyre në shkollën fqinje”.

Ndërkohë në DRAP, Azbi Lika, drejtori i kësaj drejtorie, në linjë telefonike për gazetarin e Shqiptarja.com dhe REPORT TV, sqaroi se një vendim i tillë ka 2 motive:

“Shkaku i parë është gjendja e kësaj shkolle. Ajo nuk plotëson aspak standardet e mësimdhënies. Është shkollë tejet e amortizuar. Shkaku i dytë është numri i ulët i nxënësve, i cili e detyron një vendim të tillë”.

Më tej ai theksoi se distanca e kësaj shkolle nga ajo e Qerretit është vetëm 2 km.

“Është një shkollë e re me të gjitha kushtet. Në dispozicion të nxënësve është vendosur një autobus për transportin e tyre. Nuk bëhet fjalë për mësim me turne. Ata do të ndjekin mësimin vetëm paradite sepse shkolla ka kapacitete të mjaftueshme”, thotë Lika.