Durrës - Një 55-vjeçar i cili ushtroi dhunë ndaj vajzës dhe bashkëshortes ka rënë në prangat e policisë së Durrësit.

Ngjarja u regjistrua një ditë më parë rreth orës 19:00 në banesën e tyre në fshatin Qerret të Njësisë Administrative Katund i Ri.

Burime nga policia bëjnë me dije se Ardian Varrosi në gjendje të dehur është konfliktuar me vajzën e tij 18 vjeçare dhe e ka kanosur atë me thikë. Sipas të njëjtave burime ai e kishte qëlluar më parë vajzën edhe me pëllëmbë.

E reja ka dalë me vrap nga banesa duke kërkuar ndihmë te fqinjët. Këta të fundit janë kërcënuar gjithashtu nga 55-vjeçari.

Pas ngjarjes dhe mbërritjen e policisë Varrosi u vetëplagos edhe me thikë në pjesën e qafës. Mjeti prerës u sekuestrua si provë materiale.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin A.V., 55 vjeç, banues në Qerret, Durrës.

Ky shtetas, rreth orës 19:00, të datës 13.02.2026, në banesën e tyre në fshatin Qerret, Durrës, pas një konflikti për motive të dobëta, ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij, shtetases A.V., 42 vjeçe, dhe më pas ka kërcënuar edhe vajzën e tij, e cila ka ndërhyrë për të parandaluar përshkallëzimin e dhunës dhe ka lajmëruar Policinë.

Shtetasi A.V., pas konfliktit me bashkëshorten, është vetëdëmtuar me një mjet prerës në pjesën e qafës.

Ai ka marrë mjekim në Spitalin Rajonal Durrës, pa probleme serioze për shëndetin”, njoftoi sot policia.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për veprime të mëtejshme.