DURRES - Flakët e zjarrit kanë përfshirë një apartament paraditen e sotme, në lagjen numër 11 të qytetit të Durrësit, pranë Muzeut të Dëshmorëve.

Zjarri ka rënë në katin e dytë të një pallati në këtë zonë, ndërkohë mësohet që momentin e rënies zjarrit në banesë nuk ndodhej askush. Si pasojë e përhapjes së flakëve dhe tymit janë evakuuar të gjithë banorët e pallatit.

Sipas informacioneve në vendngjarje, mësohet se zjarri ka shkaktuar vetëm dëme materiale, ndërsa paraprakisht dyshohet se shkaku i tij mund të jetë një shkëndijë elektrike.

Tre makina zjarrfikëse punuan për shuarjen e flakëve të cilat dogjën plotësisht apartamentin, por fatmirësisht nuk pati përhapje të flakëve tek banesat e tjera.

(Gre.M/Shqiptarja.com)