Durrësi 2 miliardë euro

Durrësi 2 miliardë euro

Projekti i portit të Durrësit

Kam pyetur shumë herë miq durrsakë se çfarë mendojnë për projektin e shndërrimit të qytetit të tyre të dashur në portin më të madh të jahteve në Mesdhe dhe të zhvendosjes së portit të mallrave dhe trageteve në Porto Romano. Shumica janë shprehur mosbesues. Një vit e gjysmë më parë, kur Ministria e Infrastrukturës shpërndau për mediat planet 3 dimensionale të ndërtimeve në portin e Durrësit dhe në Spitallë, miqtë nga Durrësi shpreheshin se të gjitha këto gjëra të bukura do të ngeleshin me kaq, në ajër, sikurse ngeli investimi 2 miliardë euro në Karpen të Kavajës. “Madje bravo që sollën edhe imazhet 3D, pse tek Karpeni nuk i sollën”, vërenin, gjysëm me shaka e gjysëm me ironi.

Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Durrësi

Në të vërtetë, ne shqiptarët, këtë vend, Emiratet e Bashkuara Arabe, nga vjen miliarderi arab qe po investonne Durres, e njohim pak. Si qytetarë, dimë vetëm që është ndër vendet e vogla të Gjirit Persik, shumë të pasura në naftë.  Emiratet e Bashkuara Arabe kanë një sipërfaqe pak më shumë se tre herë sipërfaqen e Shqipërisë, me afro 10 milionë banorë, por renditen në vend të shtatë në botë për nga niveli i zhvillimit, me të ardhura për frymë 70 mijë dollarë në vit, ose një prodhim kombëtar 647 miliardë dollarë në vit ((https://en.wikipedia.org/wiki/United_Arab_Emirates).

Presidenti i vendit, princi i Kurorës Khalifa bin Zayed bin Sultan Al Nahyan është i biri i themeluesit të Emirateve Zayed bin Sultan Al Nahyan, i cili i donte shqiptarët dhe financoi në vitin 1999 ndërtimin e Aeroportit Zayed të Kukësit. Khalifa i qëndroi amanetit të babait dhe na ndihmoi me 2 mijë apartamente në Spitallë për rindërtimin nga tërmeti, ose 70 milionë dollarë.

Porosinë për t’i ndërtuar këto apartamente, Princi i Kurorës ia la arabit të katërt më të fuqishëm në botë, sipas revistës “Arabian Business Magazine”(https://www.arabianbusiness.com/lists/422978-worlds-most-powerful-arabs-2019-322), Muhamed Alabbar, ndërtuesit të më shumë se gjysmës së Dubait, qytetit të mrekullive.

Alabbar dhe Durrësi

Dhe Alabbar vjen në Shqipëri në dhjetor të vitit 2020 dhe projekton investimin në Durrës, përtej ndërtimit të 2 mijë apartamenteve si kontratë me qeverinë e vet. Duke premtuar investime rreth 30 herë më shumë, 2 miliardë euro!

Deri këtu edhe unë isha brenda shakasë së miqve të mij durrsakë. Por më 1 maj 2021, Alabbar del në intervistë në rrjetin prestigjoz amerikan CNN(https://www.youtube.com/watch?v=BWo0UbP8Gak). Alabbar ka dalë rrallë herë në intervistë në këtë rrjet, për të deklaruar investime miliarda dollarëshe apo në euro, që më pas i ka realizuar.

E tillë ishte intervista në CNN më 14 korrik 2018 https://www.youtube.com/watch?v=-HjaWWVzyPM), kur krijoi platformën tregtare dixhitale “Noon(Mesdita)”, një projekt 1 miliardë dollarë, në bashkëpunim me Fondin e Investimeve Publike të Arabisë Saudite, për t’iu shërbyer 400 milionë arabëve nëpërmjet tregtisë elektronike. 

Intervista në CNN nuk është një shpenzim 20 mijë euro që i jep pronari i një sipërmarrjeje një televizioni, qofte ky edhe rajonal në Ballkan, për të dalë me një premtim apo projekt, të cilit pronari do që televizioni t’i bëjë reklamë. As edhe me 200 mijë euro sponsorizim nuk mund të dalësh në CNN në emisionet e tij të biznesit. Kurrë! Mund të paguash kaq para, por do dalësh si reklamë, jo si program i vetë CNN.

Ja përse, kur pashë intervistën e Alabbar në CNN më 1 maj 2021, kuptova që investimi në Durrës është diçka shumë serioze dhe reale. Alabbar nuk është investues i panjohur në këtë pjesë të Ballkanit. Në Serbi, në prill 2015, gjashtë vite më parë, nënshkroi një kontratë me qeverinë serbe për shndërrimin e një stacioni të vjetër trenash dhe zonës së braktisur përreth, në buzë të lumit Sava, në një strukturë moderne. Alabbar synonte të investonte 3 miliardë euro në këtë projekt. Por dolën disa probleme mosbesimi tek autoritetet serbe dhe projekti dha frutin e tij të parë vetëm në tetor 2020, me përurimin e qendrës tregtare më të madhe në Ballkan, të quajtur “Mega Galerija”.

Tabela 2. Alabbar dhe investimet në rajon

Eagle Hills është një kompani private e investimeve dhe zhvillimit të pasurive të patundshme me qendër në Abu Dhabi, Emiratet e Bashkuara Arabe, e drejtuar nga Mohamed Alabbar. Eagle Hills Properties nenshkroi në prill 2015 me qeverinë e Serbisë kontraten per zhvillimin e Projektit Ujor (Waterfront Project), me vlerë 3 miliardë dollarë. Projekti synonte:

1.            Modernizimin e një hapësire 1.8 milionë metra katrorë

2.            Ndërtimin e qendrës më të madhe tregtare të Ballkanit në Beograd,

3.            Ndërtimin e 5,700 apartamenteve, tetë hoteleve dhe një grataçiel me 42 kate të lartë 200 metra.

Investimi u vonua për shkak të lejeve të autoriteteve serbe, por në shtator 2020, qendra më e madhe tregtare në Ballkan, investim i Alabbar, u përurua në Beograd.

Alabbar përmend në intervistën në CNN eksperiencën pozitive në Serbi. Ndërsa Shqipërinë e quan “Evropa e re”. Ta besojmë? Mendoj se me daljen e Alabbar në CNN, të 2 miliardë eurot e projektit fantastik për Durrësin janë më afër nesh. Qeveria, me dy VKM të saj ka lëvizur dhe po ia përgatit terrenin për të sjellë 2 miliardë eurot e investimit të tij në Durres. Tani duhet një punë shumë me përgjegjësi e qeverisë sonë, jo vetëm me letra, që çdo kërkesë të këtij investuesi vizionar ta zbatojë në kohë reale, pa e penguar, sikurse u pengua nga qeveria serbe në Serbi dhe një nga 5 megaprojektet e tij në Beograd i shkoi 6 vjet. 

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Genti: 09/08/2022 10:29

    Po ikni o plera boll e shkatarruat ate qytet

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon votimin e detyrueshëm, jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Duan të zhdukun “opozitën” apo duan të zhdukin antishqiptarët?

Duan të zhdukun “opozitën” apo duan të zhdukin antishqiptarët?