Durrës - Një 40-vjeçar nga Fieri do të hetohet në gjendje të lirë pasi i ofroi punonjësve të Policisë të Rrugore 2000 lekë për të mos marrë gjobë.

Shoferi u kap nga efektivët në rrugën “Martin Camaj”, duke përdorur celularin teksa ishte në timon.

Sipas njoftimit të bluve deri më tani 31 persona janë arrestuar/nën hetim për këtë veprimtari.

"Gjatë patrullimit me objektiv parandalimin e aksidenteve dhe ndëshkimin e shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugor, shërbimet e Policisë Rrugore të Durrësit i bënë shenjë ndalimi, në rrugën “Martin Camaj”, automjetit me drejtues shtetasin D. L., 40 vjeç, banues në Fier, i cili u kap duke përdorur celularin, gjatë drejtimit të automjetit.

Për të shmangur masën administrative për këtë shkelje, ai iu ka ofruar punonjësve të Policisë, 2000 lekë.

Në përfundim të veprimeve procedurale për këtë rast, nisi procedimi në gjendje të lirë për 40-vjeçarin, për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, njoftoi sot policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.