Gjykata e Durrësit liroi nga paraburgimi 4 të rinjtë e akuzuar për moskallëzim krimi në lidhje me vrasjen e dyfishtë më 22 tetor në Manzë gjatë sherrit që nisi për kafen.
Në seancën e së shtunës, ndaj tyre u caktua “detyrim paraqitje” dhe ndalim i daljes jashtë vendit. Të liruarit janë Ergi Kadiu dhe vëllezërit Taulant dhe Emirjan Beqja, shokë me Daniel Pepën, që vijon të jetë në arrati, si dhe Erald Cani, i cili ndodhej në lokal në momentin e përplasjes me armë.
21-vjeçari Pepa, akuzohet për vrasje dhe armë pa leje. Në kërkim është dhe 30-vjeçari Gëzim Allçi, i dyshuar se ndihmoi autorin të largohej nga vendi i krimit.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 22 tetor, në ambientin e jashtëm të një lokali në Manëz, ku u vranë me armë zjarri 33-vjeçari Flori Paluçi dhe 23-vjeçari Aranit Kurti. Në kërkim përveç autorit të vrasjes së Paluçit, Daniel Pepa është shpallur edhe 30-vjeçari Gëzim Allci me akuzat e armëmbajtjes pa leje, moskallëzim krimi si edhe përkrahje e autori të krimit.
21-vjeçari Daniel Pepa ka hyrë në lokal dhe është debatuar me kamarierin dhe me Flori Paluçin, i cili shoqërohej në lokal me disa të tjerë, ndër të cilët edhe Erald Cani i arrestuar për moskallëzim krimi. Pepa debatoi pasi kërkoi kafe ndërsa kamarieri Alteo Pepa i tha se ekspresi është fikur. Pas konfliktit verbal, Daniel Pepa është larguar me automjet dhe më pas është kthyer bashkë me Ergi Kadiu dhe Aranit Kurtin. Teksa ata kanë tentuar që të hyjnë sërish në lokal, ka dalë Flori Paluçi dhe ka qëlluar me armë zjarri në tokë.
Në këtë moment, Daniel Pepa ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të Paluçit duke e plagosur, ndërsa Aranit Kurti e ka qëlluar me grushte në fytyrë. Paluçi, sipas policisë, ka qëlluar ndaj të dyve. Nga plumbat mbetën të vrarë Aranit Kurti që u qëllua nga Paluçi, ndërsa ky i fundit u vra nga Daniel Pepa.
Komente









