DW: Liz Truss në gjurmët e Margaret Thatcher, përkrahëse e vendosur e doktrinës konservatore

DW: Liz Truss në gjurmët e Margaret Thatcher, përkrahëse e vendosur e doktrinës konservatore

Kryeministrja britanike, Liz Truss

Liz Truss e ka dëshmuar veten si mjeshtre e mbijetesës në qeveritë konservatore të dymbëdhjetë viteve të fundit. Karriera e saj njeh vetëm një drejtim: lart dhe pa pengesa. Nga ministre e Drejtësisë, në atë të Financave dhe të Tregtisë e në fund në krye të Ministrisë së Jashtme. Ndërsa shumë kolegë të saj ranë viktimë të luftërave dhe intrigave brendapartiake, ajo i mbijetoi madje valës së fundit të dorëheqjeve pas rënies së Theresa May-it dhe doli sërish fituese nga riorganizimi i fundit i madh i kabinetit të Boris Johnson.

Liz Truss konsiderohet si besnike dhe punëtore, por askush nuk e ka vlerësuar ndonjëherë saktësisht për arritjet e saj. Vetëm një nga kolegët e saj, Rory Stewart, e kritikon kur shkruan në blogun e tij politik për kohën që kanë punuar së bashku në Ministrinë e Bujqësisë. Sipas menaxhimi i Liz Truss ka mbetur në stilin e “IBM të viteve 80” – shkruan ai duke e quajtur përvojën e tij të punës me Trussin si “traumatizuese”. Por Liz Truss ka punuar gjatë gjithë kohës pa u lodhur për imazhin e saj publik. Që kur mori drejtimin e Ministrisë së Jashtme, Liz Truss është shfaqur pa pushim në Instagram dhe Twitter.

Jo tradicionalisht konservatore

Liz Truss-i nuk vjen prej ndonjë familjeje tradicionalisht konservatore. I ati ishte profesor matematike, e ëma infermiere dhe prirjet politike të familjes ishin të majta. Prindërit e kishin marrë Lizin që të  vogël në protesta kundër energjisë bërthamore. Po ashtu edhe fillimet e angazhimit të saj në politikë. Si studente ajo qe anëtare e Partisë Liberale.

Po ashtu ajo nga pro-evropiane që ishte para referendumit të Brexit të vitit 2016, u kthye në një mbështetëse të zjarrtë të daljes së Britanisë nga BE. Vitet e fundit Liz Truss është bërë gjithnjë e më e djathtë dhe është një nga përkrahëset më të vendosura të doktrinës së pastër konservatore.

Ajo e sheh veten si pasuese të Margaret Thatcherit, e cila në vitet 1980 arriti që ta fuste ekonominë britanike në rrugën e rritjes përmes një kure drastike privatizimesh dhe decentralizimit. Liz Truss synon ta luftojë inflacionin aktual me ulje taksash, edhe pse ekonomistët e Bankës së Anglisë nuk pajtohen me këtë dhe kanë frikë se një e tillë vetëm mund të nxisë spiralen e çmimeve.

Në politikën e jashtme është e qartë se ajo nis menjëherë mosmarrëveshje me Evropën dhe dëshiron të anulojë menjëherë Protokollin e Irlandës së Veriut si pjesë e Traktatit të Brexit.

Sprovat e kryeministres së re

Gjithsesi dimri që pritet të shoqërohet me pakënaqësi dhe protesta kundër urisë dhe varfërisë dhe sistemit shëndetësor të dështuar në Britaninë e Madhe si dhe valët e paralajmëruara të grevave, do të jenë një sprovë për kryeministren pa përvojë.

Mbetet për t’u parë nëse Liz Truss do ta hedhë poshtë ideologjinë e saj konservatore po aq shpejt sa dhe bindjet e saj të mëparshme. Sidoqoftë përplasja mes realitetit të ashpër dhe besimit të saj në tregun e lirë do të ofrojë një spektakël interesant./DW

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja