TIRANË - Moderatorja sportive, Ilda Bejleri është shoqëruar në polici dhe më tej është vënë në hetim në gjendje të lirë për aksidentin e ndodhur gjatë ditës së djeshme pranë urës së Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ku një grua 63-vjeçare e cila po kalonte rrugën teksa semafori ishte i kuq për këmbësorët, mbeti e lënduar. Ilda Bejleri do të hetohet nga Prokuroria e Tiranës për veprën penale Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”, siç policia i ka referuar materialet procedurale. Moderatores 33-vjeçare i është sekuestruar edhe makina X5.

"Në vijim të veprimeve hetimore, në orët e mbrëmjes grupi hetimor ka shoqëruar dhe intervistuar në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime, Ilda Bejlerin, 33 vjeçe. Policia Rrugore ka sekuestruar ne cilësinë e provës materiale automjetin në pronësi të Bejlerit, me qëllim këqyrjen dhe kryerjen e ekspertimeve të nevojshme autoteknike". Në përfundim të veprimeve të para hetimore, materialet procedurale i janë përcjellë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për hetime të mëtejshme si e dyshuar për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”, njoftoi zyrtarisht Policia e Tiranës.

Aksidenti sipas një njoftimi zyrtar të policisë, ndodhi sot rreth orës 12:50 në bulevardin "Gjergj Fishta", në afërsi të Urës së Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë.

"Kalova me të kuqe, të gjithë ndaluan, përveç X5 të Ilda Bejlerit"

Në një dëshmi ekskluzive për Report Tv, 63-vjeçarja Enriketa Gjuzi, e cila aktualisht është në spital, pasi ka dëmtuar një gjymtyrë, tregon se ishte duke kaluar rrugën me semafor të kuq, bashkë me disa persona të tjerë, dhe thuajse të gjitha makinat ndaluan. Por rrugën e vijoi një X5 e zezë, që ajo nuk mundi ta identifikojë përmes targës dhe as drejtuesin, duke e goditur nga krahu i shoferit. Qytetarët e shumtë por edhe shoferët e makinave të tjera që ndaluan i dhanë ndihmën e parë zonjës, siç ajo deklaron, teksa të gjithë konstatuan se drejtuesja e makinës që u largua nga vendi i ngjarjes, ishte Ilda Bejleri.

"Kam qenë duke kaluar rrugën nga krahu i drejtorisë së policisë në atë të Lanës. Në ato momente semafori i kuq, 20 metra larg vijave të bardha. Kanë qenë duke kaluar edhe njerëz të tjerë. Të gjitha makinat kanë ndaluar përveç makinës X5 të Ilda Bejlerit. Përplasja është bërë nga krahu i shoferit. Kalimtarët e rastit i kanë bërë thirrje Bejlerit të paktën ta marrë ta dërgojë në spital por ajo ka refuzuar duke u larguar nga vendngjarja. Kanë qenë shoferët e makinave që më dhanë ndihmën dhe kanë lajmëruar ambulancën dhe policinë. Në momentin e përplasjes kam qenë e vetëdijshme dhe i kam thënë çfarë bën. Më vonë kam marre vesh që ishte Ilda Bejleri pasi me kanë thënë njerëzit", tregon për Report Tv, Enriketa Gjuzi.

Ndërkohë, të afërm të saj thanë se "mbrëmjen e djeshme në spital ka qenë oficeri i OPGJ i cili na ka thënë se kemi marrë pamjet filmike ku dallohet momenti i përplasjes si dhe dy makinat që i kanë dhënë ndihmën e parë".

E kontaktuar nga Shqiptarja.com një ditë më parë, moderatorja Bejleri pranoi rastin, por tha se "situata nuk ishte e rëndë" dhe se zonja kishte dëmtim, pasi sipas saj automjeti nuk e kishte prekur fare. Për këtë arsye ajo tha se është larguar...Por pa ditur se 63-vjeçarja do të bënte raportim në polici.

Ilda Bejleri: Nuk u ndjeva fajtore..Zonja u rrezua ne rruge ne ecje e siper

Po ashtu në një reagim në rrjetet sociale, Ilda Bejleri sulmon mediat dhe i qëndron një versioni që zonja të jetë rrëzuar në rrugë pa e prekur makina e saj, ku sipas moderatores nuk ishte në lëvizje, por e ndaluara para semaforit.

"O ju mer-diat Shqiptare! Për fatin tim të mirin kamerat janë hapur në polici dhe është vërtetuar që makina ime ka qenë e ndaluar në momentin që zonja është rrëzuar në nxitim e sipër për të kaluar rrugën edhe pse semafori ishte jeshil për makinat. Kush ka ndonjë dyshim të shkojë të shohë videon në polici. Unë pyeta për zonjën në momentin e parë më pas duke qenë se makina ime në momentin e rrëzimit nuk ishte në ecje e sipër nuk ndjeva që kisha bërë diçka që duhet të ndihesha fajtore. Të gjitha makinat e tjera u larguan , por unë qëndrova pak. Por nuk ndjeva asnjë detyrim që të qëndroja më shumë se nuk mbaj përgjegjësi për njerëzit që rrëzohen në rrugë. Zonja për fat të mirë është shëndosh e mirë. Flini të qetë o njerëz", shkruan Bejleri në profilin e saj në Instagram.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:01
Kush është gruaja që u aksidentua nga Ilda Bejleri, historia e saj e trishtë pas tërmetit të 26 nëntorit

Enriketa Gjuzi është 63-vjeçarja e cila mbeti i plagosur pasi u përplas me makinë nga Ilda Bejleri, teksa kalonte në vija të bardha, por me semafor të kuq. Përtej reagimeve që ka pasur në rrjet lidhur me këtë ngjarje, pas Enriketa Gjuzit, fshihet një histori e trishtë. Ajo është një nga qindra banorët, banesa e së cilëve i është dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit. Gjuzi, ish- kunata e kreut të Aleancës Kuqezi, Kreshnik Spahiu, ishte zhvendosur muajt e fundit në kryeqytet, ku jetonte në një shtëpi me qira. 

Ora 17:47
Pas 'sulmeve' në rrjet për aksidentin/ Reagon ashpër Ilda Bejleri: E rëndësishme që zonja është mirë dhe uroj t'i vijnë mendtë

Ilda Bejleri, moderatorja sportive është vendosur në qendër të vëmendje pas aksidentit ku u përfshi, duke plagosur pranë urës së Drejtorisë së Policisë së Tiranës një grua 63- vjeçare, e cila po ecte në vija të bardha, por me semaforin e kuq. Pas sulmeve në rrjet, Ilda ka reaguar ashpër, ku shprehet se nuk është fajtore, duke theksuar se e aksidentuara ka mashtruar në deklaratën e saj, me qëllim për të marrë dëmshpërblim.

"E di.. keni mllef per kedo sidomos per njerezit qe dalin ne ekran! A u shfryt o shqiptar?! Apo keni akoma?? Ju vjen keq per zonjen qe si ndodhi asgje, thjeshte nje shembje sepse po nxitonte dhe u rrezua, po fundja edhe per kalimtaret ka ca rregulla?! Prandaj ekzistojne vijat e bardha! Apo jeni te lumtur sa mire ju be ksaj qe u gjend rastesisht afer nje zonje qe endej mes makinave?! Po kur makina ishte e ndaluar si valle zonja qenka perplasur!? Apo po kerkon demshperblim tani qe i thane “ mund te perfitosh noj gje”?! Shum shpejt do publikojme dokumentat e spitalit qe zonja ska pas asgje, pervec nje shembjeje ne kembe por pa kontakt me makinen, thjeshte nga nxitimi me kalu sikur jetojme ne Afganistan!! E rendesishme eshte qe zonja ka dal nga spitali dhe uroj ti vijne dhe mendte me ate rast e mos te degjoj njerezit qe po perfitojne prej saj per disa klikime me shume. Cdo gje qe ka thene ne ate telefonate ajo zonja eshte mashtrim. Dhe per kete ka deshmitar!

Shfryni gjithe mllefin o njerez por nese ju vjen kaq keq blijini nje shpi asaj zonjes qe eshte demtu nga termeti, ashtu sic kam ndihmuar un te tjere. Stop lajmeve fake! Me gjithe respektin per moshen e zonjes ne fjale, por dhe mashtrimi eshte krim! Ndoshta mendojne se do i jap disa leke zonjes per te mbyllur gojen, por jo! Dje vajta vete ne polici, pashe videon, lashe makinen pa asnje shenje ne te dhe u ktheva ne shtepi njesoj po vete, shume e qete me veten!

E di, Shqipria ka shume halle po nje nga hallet me te medha eshte qe njerezit pa pune e qe skane jete merrem me jeten e tjerve. Lerjani policise te bej punen e vet, nese ka nje ceshtje! Ndersa per portalet Dritare.net dhe Tema do kujdesem vete qe te paguajne per cdo mashtrim qe kane thene! Shpifje Shpifje Shpifje", shkruan Ilda në postimin e saj të fundit në rrjetet sociale.