Shkon në katër numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore gjatë kësaj të enjte të ndodhura në Dibër, Kavajë dhe Shkodër. Dy aksidente fatale ndodhën në Bulqizë dhe Peshkopi. Në aksin rrugor Batër-Bulqizë në zonën e Martaneshit doli nga rruga një automjet dhe për pasojë humbi jetën 60-vjeçari, Asllan Lami dhe mbeti i plagosur pasagjeri që udhëtonte me të, i cili u transportua me helikopter në drejtim të spitalit të Traumës në GTiranë. 

Aksidenti tjetër fatal ndodhi në aksin rrugor Shupenzë-Peshkopi, pranë fshatit Vojnik, aty ku J.K, duke drejtuar automjetin tip furgon ka përplasur këmbësorin I.B. rreth 70 vjeç i cili ka humbur jetën.

Ndërsa pranë fshatit Grezhdan, Maqellarë, E.P, duke drejtuar automjetin tip "Benz", ka përplasur këmbësorin shtetasin A.I, i cili u transportua për ndihmë mjekësore në spital në gjendje të rëndë. Paraprakisht dyshohet se shkak i aksidenteve të jetë lagështia në rrugë si pasojë e reshjeve të dendura të shiut të rëna në orët e fundit. Grupet hetimore ndodhen në dy vend ngjarjet ku kanë ndodhur aksidentet dhe po hetojnë për zbardhjen e shkaqeve të tyre.

Policia e Dibrës përmes një njoftimi të shpërndarë për mediat ju lutet të gjithë drejtuesëve të automjeteve të repektojnë normat e shpejtësisë dhe rregullat e qarkullimit rrugor, të mos bëhen burim aksidenti për veten e tyre dhe për përdoruesit e tjerë të rrugës. 

Më herët, në mesditë një aksident fatal ndodhi në Kavajë, ku një 20-vjeçar humbi kontrollin e motorit dhe për pasojë u përplas me bordurat anësore të rrugës. Donald Agolli humbi jetën në vend, ndërsa e plagosur rëndë mbeti vajza që udhëtonte me të. Mësohet se ajo ndodhet në spital në gjendje kritike për jetën. 

Por bilanci tragjik i aksidenteve do thellohej në orët e vona të mbrëmjes. Një aksident me pasojë vdekjen ndodhi në Shkodër ku humbi jetën një këmbësor i cili u përplas nga një makinë teksa po kalonte rrugën.