Partia Demokratike e Kosovës nuk tërhiqet nga kushti për zgjedhjen e presidentit: Kuvendi duhet të miratojë fillimisht ndryshimet në ligjin për Gjykatën Speciale në Hagë. Me vetëm dy ditë të mbetura deri në afatin e 6 tetorit, Bedri Hamza e përsëriti këtë qëndrim përpara mbledhjes së përbashkët të Kryesisë dhe Grupit Parlamentar të PDK-së, e cila nisi sot në orën 14:00.

Takimi në selinë e partisë vjen pas bisedimeve të së shtunës me kryeministrin Albin Kurti, që përfunduan pa marrëveshje. Hamza kërkon që ndryshimet ligjore të kalojnë në të dyja votimet parlamentare dhe më pas të propozohet e të votohet presidenti, për të shmangur zgjedhjet e reja.

“Ne po themi me u aprovu ligji në dy leximet, pastaj me u propozu emri për president dhe me u zgjedhë presidenti e me u shmang zgjedhjet. Nëse dikush ka plan me çu vendin në zgjedhje është temë tjetër”, deklaroi ai.

Kërkesa e PDK-së është për miratimin përfundimtar të ligjit. Për këtë arsye, vendimi i Qeverisë për t’i përcjellë Kuvendit vlerësimin juridik dhe financiar të propozimit nuk e ka zgjidhur ngërçin. Ky ishte një hap në shqyrtimin e nismës, ndërsa Hamza kërkon që procesi të përfundojë përpara votimit të presidentit.

I pyetur për mundësinë e një takimi tjetër me Kurtin, kreu i PDK-së tha se mediat do të njoftohen me kohë nëse do të ketë bisedime të reja.

Edhe deputetja Ganimete Musliu, përpara mbledhjes, këmbënguli se ndryshimet në ligjin për Dhomat e Specializuara kanë përparësi për partinë e saj.

“Jemi duke u munduar të bëjmë më të mirën për Kosovën, në rrethanat në të cilat jemi, gjithmonë jemi duke u munduar të bëjmë më të mirën për Kosovën. Prandaj, në vazhdën e angazhimit tonë, e kemi edhe takimin e sotëm”, tha Musliu.

Ajo nuk dha hollësi për çështjet që do të diskutoheshin, duke thënë se do të fliste pas përfundimit të mbledhjes.

“E tani, hipotetike, asnjë përgjigje nuk e jap unë. Kur të dal prej mbledhjes, ju tregoj çka kemi folur në mbledhje, por përderisa nuk jam futur në mbledhje, është kjo. E thashë edhe një herë, nuk i ikim asnjëherë përgjegjësisë shtetërore si Partia Demokratike e institucionale. Jemi duke u munduar, në rrethanat në të cilat jemi, jemi duke u bërë… duke u munduar të bëjmë më të mirën për Kosovën. Ajo çka nuk pret momentalisht është Ligji për Dhomat e Specializuara, të tjerat presin”, deklaroi ajo.

Sekretarja e PDK-së, Vlora Çitaku, gjithashtu tha se përfaqësuesit e partisë do të deklarohen pas takimit. Deri në nisjen e mbledhjes nuk ishte njoftuar ndonjë marrëveshje me Vetëvendosjen.

Ndërkohë, nga brenda PDK-së janë shtuar akuzat ndaj Kurtit. Anëtari i kryesisë, Betim Gjoshi, e cilësoi kryeministrin si “pazarxhi i vlerave kombëtare”, duke e akuzuar se po u jep përparësi interesave të pushtetit përballë ndryshimit të ligjit për Specialen.

“Kur çlirimtarët përfunduan në burg, asnjë vizitë te ta s’e bëri, asnjë gur s’e lëvizi, edhe pse kishte pushtet absolut”, shkroi Gjoshi.

Ai ia ngarkoi Kurtit përgjegjësinë politike për pasojat e asaj që e cilëson si zvarritje të nismës.

“Për çdo pasojë të kësaj zvarritjeje, përgjegjësia politike është e jotja, Albin”, deklaroi ai në postimin e tij.

Afati për zgjedhjen e presidentit përfundon më 6 tetor. Nëse partitë nuk sigurojnë zgjedhjen e kreut të shtetit brenda këtij afati, vendi përballet me zgjedhje të reja parlamentare. Kurti zhvilloi të shtunën takime të ndara me Hamzën dhe kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, por nga këto bisedime nuk u njoftua një marrëveshje.

Presioni po shtohet edhe nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, e cila ka paralajmëruar përshkallëzim të veprimeve nga e hëna, nëse deri sot nuk arrihet një marrëveshje politike për ndryshimin e ligjit për Specialen. Kështu, bisedimet për presidentin po zhvillohen njëkohësisht me kërkesat e PDK-së për miratimin e ligjit dhe paralajmërimet e veteranëve për veprime të mëtejshme.