Ministrat e Jashtëm të Ballkanit Perëndimor janë mbledhur këtë të hënë në Athinë, dy ditë përpara Samitit BE-Ballkani Perëndimor që do të zhvillohet në Bruksel më datë 25 nëntor. Takimi, i organizuar me nismën e ministrit të Jashtëm grek, George Gerapetritis, mblodhi kryediplomatët e disa prej vendeve të Bashkimit Evropian të grupimit “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”, me praninë edhe të Komisioneres për Zgjerim Marta Kos e cila theksoi përparimin e Shqipërisë dhe Malit të Zi në procesin e Integrimit Evropian.
“Në grupin e katër vendeve që kryesojnë procesin kemi dy nga Ballkani Perëndimor, Malin e Zi dhe Shqipërinë, dhe shpresoj që kjo t'i nxisë edhe të tjerët të japin rezultate. Kemi mundësi të mira për të ecur përpara në procesin e anëtarësimit, pasi zgjerimi është sërish përparësi e BE-së. Është e qartë se vetëm vendet që zbatojnë reformat mund të ecin përpara. Kur flas për reforma, pjesa më e rëndësishme lidhet me çështjet themelore”, tha Kos.
Greqia, si mikpritëse, përshëndeti po ashtu avancimin e vendeve kandidate, por theksin e vendosi te meritokracia e procesit.
“Ballkani Perëndimor është i domosdoshëm për përmbylljen e unitetit politik të kontinentit tonë dhe vazhdimësinë gjeografike të Bashkimit Evropian. Kjo është arsyeja pse ritmi i procesit duhet të ruhet dhe të përshpejtohet pikërisht tani. Shqipëria ka hapur tashmë të gjithë kapitujt brenda një viti dhe ka mbyllur katër prej tyre, ndërsa pesë të tjerë janë ende në diskutim. Urime, i dashur Ferit, për këtë arritje! Qeverisja demokratike, respektimi i të drejtave të njeriut dhe lufta kundër korrupsionit nuk janë thjesht parakushte për anëtarësimin, por çelësi i transformimit të rajonit”, tha George Gerapetritis.
Vetë kryediplomati i Shqipërisë, i cili më herët zhvilloi edhe një takim dypalësh me homologun grek, në takim theksin e vendosi te besueshmëria e procesit dhe meritokracia.
“Zgjerimi po ndodh dhe Shqipëria është plotësisht pjesë e tij. Besueshmëria është motori i zgjerimit dhe funksionon në të dyja drejtimet: vendet kandidate duhet të sjellin rezultate përmes reformave, ndërsa Bashkimi Evropian duhet t’i përgjigjet me rezultate progresit të arritur. Një Evropë më e fortë ka nevojë për zgjerimin. Dhe zgjerimi ka nevojë për besueshmëri, kurajë dhe rezultate”, tha Ferit Hoxha.
Në takimin e Athinës, diskutimet përqendrohen edhe te sundimi i ligjit, qeverisja demokratike dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, ndërsa në axhendë është edhe mbështetja e ODIHR-it për reformat demokratike në vendet e rajonit.

Shqipëria dhe Mali i Zi janë dy vendet më pranë anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe mund të mbyllin të gjithë kapitujt e negociatave për të kaluar më pas te traktati i anëtarësimit. Kështu deklaroi ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Juraj Blanar, pas takimit të ministrave të Jashtëm të grupit “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”, të zhvilluar më 23 nëntor në Athinë. Sipas tij, 23 vite pas premtimit që BE-ja u dha vendeve të rajonit në Samitin e Selanikut, anëtarësimi i vendeve të para të Ballkanit Perëndimor po afrohet.
“Jemi tani në një moment historik kur mund të arrijmë anëtarësimin e të paktën dy vendeve të tjera, që janë mjaftueshëm të përgatitura për të mbyllur të gjithë kapitujt e negociatave dhe për të kaluar te traktati i anëtarësimit, përkatësisht Mali i Zi dhe Shqipëria”, deklaroi Blanar.
Ai shtoi se pranimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE do t'u tregonte qytetarëve të rajonit se anëtarësimi është realisht i arritshëm, ndërsa njëkohësisht do të forconte sigurinë e Europës.
Përpara samitit BE-Ballkani Perëndimor, që do të mbahet të mërkurën, më 25 nëntor, në Bruksel, ministri sllovak theksoi se zgjerimi nuk është më thjesht një proces teknik, i bazuar në rregulla, por po kthehet gjithnjë e më shumë në një çështje politike që kërkon konsensus. Për këtë arsye, ai u kërkoi vendeve anëtare të BE-së të mos i përfshijnë mosmarrëveshjet dypalëshe në procesin e anëtarësimit të vendeve kandidate.
“Çështjet e ndryshme që vijnë nga e kaluara dhe që mbeten ende të pazgjidhura duhet të zgjidhen në tryezën e negociatave në Bruksel. Ky është edhe qëllimi i integrimit, të forcohemi dhe të ndërtojmë një bashkësi të aftë për t'u përballur me sfida të ndryshme”, deklaroi Blanar.

Hungaria do të presë takimin e ardhshëm të Grupit të Miqve të Ballkanit Perëndimor, pas mbledhjes së zhvilluar në Athinë, ku u diskutua për përparimin e vendeve të rajonit drejt Bashkimit Europian.
Ministria e Jashtme hungareze theksoi se stabiliteti dhe integrimi europian i Ballkanit Perëndimor ndikojnë drejtpërdrejt në Hungari, ndaj Budapesti kërkon që vendet e rajonit të afrohen sa më shpejt me anëtarësimin. Hungaria, e cila iu bashkua këtij bashkëpunimi të nisur nga Austria pas takimit të ministrave të Jashtëm më 10 korrik në Romë, tashmë është anëtare e plotë e grupit.
Një nga çështjet që Hungaria ngriti ishte edhe mënyra se si Bashkimi Europian duhet të përgatitet për zgjerimin.
Sipas Budapestit, BE-ja duhet të ndërmarrë reformat e nevojshme për pranimin e vendeve të reja, por këto ndryshime nuk duhet të bëjnë që anëtarët e rinj të kenë më pak të drejta sesa shtetet që janë tashmë pjesë e Unionit. Në takimin e Athinës u diskutua gjithashtu për forcimin e institucioneve demokratike, sundimin e ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave themelore, ndërsa Hungaria theksoi se po e mbështet integrimin e rajonit edhe përmes dërgimit të ekspertëve në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Bashkimi Europian është gati për raundet e ardhshme të zgjerimit, por përparimi i vendeve kandidate do të varet nga zbatimi i reformave. Këtë e deklaroi komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos, gjatë takimit ministror të grupit informal “Miqtë e Ballkanit Perëndimor” në Athinë, ku përmendi Shqipërinë dhe Malin e Zi si dy nga katër vendet që kryesojnë procesin e anëtarësimit.
“Më në fund, pas 23 vitesh nga Samiti i Selanikut të vitit 2003, po japim rezultate. Në grupin e katër vendeve që kryesojnë procesin kemi dy nga Ballkani Perëndimor, Malin e Zi dhe Shqipërinë, dhe shpresoj që kjo t'i nxisë edhe të tjerët të japin rezultate. Kemi mundësi të mira për të ecur përpara në procesin e anëtarësimit, pasi zgjerimi është sërish përparësi e BE-së. Është e qartë se vetëm vendet që zbatojnë reformat mund të ecin përpara. Kur flas për reforma, pjesa më e rëndësishme lidhet me çështjet themelore. Po jetojmë në kohë të vështira gjeopolitike dhe është e rëndësishme që BE-ja të japë rezultate. Kjo është arsyeja pse publikuam komunikatën për gatishmërinë e BE-së për zgjerim dhe përgjigjja e qartë është PO, BE-ja është gati për raundet e ardhshme të zgjerimit. Kemi propozuar disa përshtatje, por shpresoj që me raundin e ardhshëm të zgjerimit, BE-ja të mund të bëhet më e fortë. Jam shumë e lumtur që po takohemi në Athinë, Greqi. Mbështetem te presidenca greke, në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm, që të punojë pa u lodhur për procesin e zgjerimit”, deklaroi Kos.
Shqipëria i ka hapur të gjithë grupkapitujt e anëtarësimit. Vendi ynë ka mbyllur përkohësisht katër kapituj ndërkohë që deri më 15 dhjetor do të mbyllë edhe pesë kapituj të tjerë kur në Bruksel të mbahet mbledhja e ministrave për çështjet evropiane.
Nëse respektohet i gjithë kalendari kapitujt e fundit do të mbyllen gjatë presidencës greke në gjysmën e dytë të vitit 2027.

Ministri i Jashtëm grek, George Gerapetritis, ka vlerësuar përparimin e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian, gjatë fjalës hapëse në takimin e ministrave të Jashtëm të Ballkanit Perëndimor në Athinë. “Shqipëria ka hapur kapitujt brenda një viti dhe ka mbyllur tashmë katër kapituj, ndërsa pesë të tjerë janë në diskutim. Urime, i dashur Ferit, për këtë”, iu drejtua ai ministrit shqiptar Ferit Hoxha.
Gerapetritis theksoi se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në BE, por nënvizoi se anëtarësimi kërkon reforma konkrete, respektimin e shtetit të së drejtës, të drejtave të njeriut dhe marrëdhënie të mira fqinjësore. Sipas tij, zgjidhja nuk është ulja e standardeve për anëtarësim, por mbështetja e vendeve të rajonit për t'i përmbushur ato.
Fjala e plotë e ministrit të Jashtëm grek, George Gerapetritis, në takimin e ministrave të Jashtëm të Ballkanit Perëndimor në Athinë
"Së pari, dua t'ju uroj të gjithëve mirëseardhjen në Athinë. Është vërtet një nder i veçantë t'ju pres këtu. Jemi veçanërisht të kënaqur me pjesëmarrjen e gjerë në këtë takim dhe interesin që ai ka ngjallur. Dje patëm mundësinë të bisedonim në një atmosferë më informale, që është gjithmonë mënyra më e këndshme. Por tani duhet të bëjmë një punë serioze, sepse çështja që kemi përpara, pra anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian dhe mënyra se si mund të ruajmë ritmin e këtij procesi, është vërtet vendimtare. Kohët janë të paqëndrueshme dhe duhet të bëjmë përparim konkret në procesin e zgjerimit.
Për ne, prania juaj këtu është një vlerësim i përpjekjeve tona të vazhdueshme, si Grupi i Miqve të Ballkanit Perëndimor, për të mbështetur aspiratat e partnerëve tanë të Ballkanit Perëndimor për anëtarësim në BE. Besoj se këto përpjekje do të marrin një shtysë të re gjatë Presidencës sonë të Këshillit të Bashkimit Europian, në gjysmën e dytë të vitit 2027.
Duke u mbështetur në Axhendën e Selanikut të vitit 2003, tashmë 23 vjet më parë, pata kënaqësinë t'ju prisja ju dhe kolegët e mi nga Ballkani Perëndimor në Forumin Ekonomik të Delfit, në maj të këtij viti. Pas një shkëmbimi shumë interesant pikëpamjesh, miratuam Deklaratën e Delfit për Integrimin Europian të Ballkanit Perëndimor, duke riafirmuar bindjen tonë të përbashkët se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Europian, si dhe angazhimin tonë të përbashkët për ta arritur këtë qëllim.
Tani kam kënaqësinë dhe nderin t'ju pres këtu në Athinë, në djepin e demokracisë. Sesioni i kësaj paraditeje ka si temë “Zgjerimi: Ruajtja e ritmit”. Dhe ky ritëm ekziston, siç dëshmohet nga diskutimet intensive që po zhvillohen përpara zgjerimit të ardhshëm. Këto diskutime përqendrohen te rregullimet institucionale që nevojiten dhe te mënyrat për të mbështetur më tej rrugën europiane të partnerëve tanë.
Aristoteli ka thënë, dhe unë vazhdoj ta përsëris sepse më pëlqen shumë ky citim, se e tëra është më e madhe se pjesët e saj. Pikërisht kështu e përshkruajmë rëndësinë e zgjerimit, si për Bashkimin Europian, ashtu edhe për partnerët e Ballkanit Perëndimor.
Ndonjëherë harrojmë se është po aq e rëndësishme që Bashkimi Europian ta mbështesë procesin e zgjerimit, sepse ai pasqyron dëshirën e popujve që ndodhen në pragun e Bashkimit Europian për t'u bërë pjesë e familjes sonë.
Anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian, siç e pranojmë të gjithë, është një investim për paqen, sigurinë dhe mirëqenien. Rajoni do të përfitojë nga ndryshimet që sjell ky anëtarësim. Në të njëjtën kohë, pasi të integrohet në Bashkimin Europian, besoj se do të luajë një rol të rëndësishëm në forcimin e Unionit, duke qenë i vendosur në një pikë strategjike shumë të ndjeshme, mes Europës Lindore dhe Mesdheut Lindor, dy zona që fatkeqësisht janë vatra krizash ndërkombëtare.
Ballkani Perëndimor është i nevojshëm për të plotësuar unitetin politik të kontinentit tonë dhe vazhdimësinë gjeografike të Bashkimit Europian.
Për të gjithë ne, vendet e Ballkanit Perëndimor janë fqinjët tanë të drejtpërdrejtë, me të cilët ndajmë sfida dhe një të ardhme të përbashkët. Prandaj, ritmi i këtij procesi duhet të ruhet dhe të përshpejtohet që sot.
Dy ditë përpara Samitit BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel dhe pas kontributit të Komisionit Europian për përgatitjen e një Bashkimi më të zgjeruar, faleminderit shumë për këtë, e dashur Marta, si dhe pas Paketës së Zgjerimit 2026, jemi këtu për të parë se si mund ta shfrytëzojmë këtë mundësi dhe për të shkëmbyer lirshëm mendime mbi përparimin e arritur, sfidat aktuale dhe mënyrat më të mira për të ecur përpara.
Duhet të pranojmë se është arritur vërtet shumë përparim.
Mali i Zi është një shembull i qartë suksesi i politikës së zgjerimit të Bashkimit Europian, duke treguar se afrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit të plotë në BE është vërtet i mundur kur përmbushen kushtet përkatëse.
Edhe Shqipëria i ka hapur tashmë kapitujt brenda një viti dhe ka mbyllur katër kapituj, ndërsa pesë të tjerë janë në diskutim. Urime për këtë, i dashur Ferit.
Maqedonia e Veriut ka bërë tashmë përparim të konsiderueshëm në një sërë fushash, veçanërisht në transformimin digjital, përafrimin me politikën e jashtme dhe të sigurisë, si dhe në disa aspekte të reformës së administratës publike. Urime, i dashur Timço.
Serbia ka miratuar një sërë masash reformuese lidhur me sundimin e ligjit, përfshirë funksionimin e sistemit gjyqësor, luftën kundër korrupsionit, mediat elektronike dhe kuadrin zgjedhor, i cili është një kusht shumë i rëndësishëm për proceset demokratike. Presim me interes të bashkëpunojmë me qeveritë e reja për të përshpejtuar përpjekjet drejt anëtarësimit.
Bosnjë-Hercegovina ka ndërmarrë hapa në luftën kundër korrupsionit dhe financimit të terrorizmit. Presim të punojmë me qeverinë e re për të rifilluar përpjekjet dhe për t'u përqendruar në përparimin e vendit drejt BE-së. Urime, Dino, dhe faleminderit që je këtu.
Mirëpresim gjithashtu përpjekjet e Kosovës në luftën kundër krimit të organizuar dhe përmirësimin në lidhje me sfidat kryesore të mjedisit të biznesit.
Natyrisht, në të njëjtën kohë, e kuptojmë se sfidat mbeten. Veçanërisht kur bëhet fjalë për grupkapitullin e çështjeve themelore dhe nevojën për të ndërmarrë e zbatuar në mënyrë efektive reforma thelbësore, nuk duhet të harrojmë se çështjet themelore janë në thelb çelësi i Europës, sepse ato janë pikërisht ato që na bashkojnë.
Angazhimi ynë i përbashkët, angazhimi ynë historik ndaj parimeve themelore të demokracisë dhe sundimit të ligjit.
Qeverisja demokratike, respektimi i të drejtave të njeriut dhe lufta kundër korrupsionit nuk janë thjesht kushte paraprake për anëtarësim. Ato janë çelësi i transformimit të rajonit, para së gjithash në të mirë të vetë qytetarëve të tij. Pikërisht për këtë arsye kanë rëndësi.
Më lejoni të theksoj gjithashtu rëndësinë e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe respektimit të së drejtës ndërkombëtare, të cilat përbëjnë një pjesë thelbësore të procesit të anëtarësimit dhe një kusht themelor për stabilitetin dhe mirëqenien e të gjithë rajonit.
Ato janë, natyrisht, po aq të rëndësishme për të ndërtuar besimin e nevojshëm mes shteteve anëtare në një Bashkim Europian më të zgjeruar.
Duke thënë këtë, rruga e duhur përpara nuk është, natyrisht, ulja e standardeve, por mbajtja e tyre lart dhe mbështetja e inkurajimi i të gjithë partnerëve për t'i përmbushur këto standarde.
Kjo është plotësisht e realizueshme dhe ne kemi besim se ata do të arrijnë t'i përmbushin në një të ardhme shumë të afërt.
Si shteti më i vjetër anëtar i BE-së në rajon, Greqia nuk do të kursejë asnjë përpjekje për të mbështetur aspiratat europiane të Ballkanit Perëndimor.
Në veçanti, përpara Presidencës sonë të Këshillit të Bashkimit Europian në vitin 2027, duhet të sigurohemi që të kemi një Bashkim të të barabartëve, me të gjitha të drejtat dhe detyrimet që rrjedhin prej tij.
Me kaq po e mbyll dhe mezi pres të dëgjoj pikëpamjet tuaja.
Edhe një herë, ju uroj përzemërsisht mirëseardhjen në Athinë dhe është një nder i veçantë për mua t'ju pres këtu"

Respektimi i të drejtave të minoriteteve dhe sundimi i ligjit kanë qenë ndër çështjet që ministri i Jashtëm grek, George Gerapetritis, ka theksuar gjatë takimit me homologun shqiptar, Ferit Hoxha, këtë të hënë në Athinë.
Në një njoftim në rrjetin social X, Ministria e Jashtme greke zbardhi detajet e takimit.
“Në fokus ishin përpjekjet e Greqisë për të çuar përpara perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor. Ministri Gerapetritis theksoi gjithashtu nevojën për respektimin e shtetit të së drejtës, përfshirë të drejtat e minoriteteve, në përputhje me acquis të BE-së”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme greke.

Integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe marrëdhëniet me Greqinë ishin në qendër të takimit që ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha, zhvilloi këtë të hënë në Athinë me homologun grek, George Gerapetritis.
Takimi mes dy ministrave u zhvillua në kuadër të takimit të Miqve të Ballkanit Perëndimor, ku po diskutohet edhe për perspektivën europiane të rajonit.
Hoxha dhe Gerapetritis folën për marrëdhëniet shqiptaro-greke, bashkëpunimin mes dy vendeve dhe ecurinë e negociatave të Shqipërisë me BE-në. Ministri shqiptar falënderoi Greqinë për mbështetjen në procesin e integrimit, ndërsa theksoi se zgjerimi i Unionit duhet të mbetet një proces i besueshëm dhe i bazuar në meritë.
“Një proces zgjerimi i besueshëm, i bazuar në meritë dhe me vizion për të ardhmen, është thelbësor jo vetëm për transformimin e Ballkanit Perëndimor, por edhe për sigurinë, stabilitetin dhe konkurrueshmërinë afatgjatë të Europës”, theksoi Ministri Hoxha.
“Partneriteti strategjik, miqësia, dialogu i hapur dhe konstruktiv, si dhe e ardhmja e përbashkët europiane janë shtyllat e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Greqisë”, shtoi Hoxha, duke nënvizuar edhe përgjegjësinë e përbashkët të dy vendeve, si aleate në NATO, për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit.
Gjatë vizitës së tij në Athinë, Hoxha u takua edhe me shqiptarë që jetojnë në Greqi, në një pritje të organizuar nga ambasada shqiptare në kuadër të 114-vjetorit të Pavarësisë.
Përpara përfaqësuesve të shoqatave, mësuesve, të rinjve dhe sipërmarrësve shqiptarë, ministri u ndal te lidhjet e diasporës me vendin dhe kontributi që ajo mund të japë në procesin e integrimit europian.
“Shqiptaria nuk kufizohet me kufijtë tanë gjeografikë, ajo është dhe gjallon kudo ku një shqiptar jeton, punon, krijon, ndërton dhe kontribuon. Diaspora nuk është thjesht në krah të Shqipërisë. Ajo është një urë e fuqishme mes atdheut dhe vendeve ku shqiptarët jetojnë, krijojnë dhe lënë gjurmë. Diaspora është pjesë e gjallë e Shqipërisë. Është atdheu ynë përtej kufijve”, deklaroi ministri.
Kjo është arsyeja që për Ministrin e Jashtëm, e ardhmja europiane e Shqipërisë kërkon kontributin e të gjithëve.
“Ajo ka nevojë edhe për energjinë, dijen, përvojën dhe potencialin e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit. Kjo ishte ftesa jonë në Samitin IV-t të Diasporës. Kjo është dhe mbetet ftesa jonë. Në këtë rrugëtim, diaspora nuk është thjesht në krah të Shqipërisë. Ajo është një urë e fuqishme mes atdheut dhe vendeve ku shqiptarët jetojnë, krijojnë dhe lënë gjurmë. Diaspora është pjesë e gjallë e Shqipërisë. Është atdheu ynë përtej kufijve”, deklaroi Hoxha.
-
Një gjë është e sigurtë Athina do të jetë e para që do jetë kundra Shqipërisë për në BE.këtë e ka treguar me vepra futi vrasësin hidraolik në PE vetëm për inat të Shqipërisë.
Përgjigju -
Po per heqjen e ligjit te luftes diskutuat apo vetem cfar kerkon greku??
Përgjigju








Komente
Komento