Një punonjës që sot paguhet 50 mijë lekë bruto në muaj, nëse merr një rritje page prej 1 mijë lekësh, në fund të muajit do të marrë në dorë 1192 lekë më pak. Ky është paradoksi që ngritën sot 29 shoqata, sindikata dhe organizata të shoqërisë civile, të cilat i kërkuan qeverisë dhe Kuvendit të rishikojnë Paketën Fiskale 2027
Nisma, e ndërmarrë nga Shoqata ProEksport Albania, vjen pasi paketa fiskale mori miratimin në Komisionin e Ekonomisë të premten e kaluar dhe pritet të votohet në Kuvend më 26 nëntor.
Në letrën drejtuar kryeministrit Edi Rama, ministrit të Financave Petrit Malaj dhe kryetarit të Kuvendit Niko Peleshi, organizatat kërkojnë që paga minimale të mbetet e patatueshme, ndërsa të ndryshojë mënyra se si tatohen pagat e ulëta.
“Pjesa e pagës deri në pragun e patatueshëm të mbetet e përjashtuar edhe kur paga bruto e kalon këtë prag. Tatimi të zbatohet vetëm mbi pjesën që e tejkalon atë, në mënyrë që çdo rritje e pagës bruto të sjellë edhe rritje të pagës që punëmarrësi merr në dorë”, kërkojnë 29 shoqatat.
“Sipas formulës aktuale, të cilën projektligji e ruan për pagat e ulëta, një punëmarrës me pagë bruto prej 50 000 lekësh merr 44 400 lekë në dorë pas kontributeve. Me një pagë bruto prej 51 000 lekësh, zbritja personale bie nga 50 000 në 35 000 lekë, tatimi bëhet 2 080 lekë dhe paga neto zbret në 43 208 lekë. Kështu, një rritje prej 1 000 lekësh në pagën bruto i lë punëmarrësit 1 192 lekë më pak në muaj. Kjo situatë krijon një paradoks të papranueshëm: punëmarrësi që përfiton një rritje të vogël të pagës bruto, në vend që të marrë më shumë të ardhura, përfundon duke marrë më pak. Nëse paga minimale zyrtare rritet dhe pragu i patatueshëm mbetet në 50 000 lekë, edhe punëmarrësit me pagë minimale mund të fillojnë të paguajnë tatim mbi pagën”, thuhet në letër.
Shqetësimi i organizatave është se nëse paga minimale rritet, por pragu i patatueshëm mbetet në 50 mijë lekë, edhe punonjësit që paguhen me pagën minimale mund të fillojnë të paguajnë tatim mbi të ardhurat.
Ndërsa për pagat e ulëta formula e tatimit mbetet e pandryshuar, lehtësitë që parashikon paketa e re fiskale prekin pagat mbi 200 mijë lekë në muaj. Sipas shoqatave, një punonjës me pagë 100 mijë lekë do të vazhdojë të paguajë 9100 lekë tatim në muaj, ndërsa për një punonjës me pagë 300 mijë lekë, tatimi mujor ulet me 10 mijë lekë.
Ulja e TVSH-së për ushqimet, a do të reflektohet në çmimet në dyqane?
Një tjetër shqetësim i ngritur nga organizatat lidhet me uljen e propozuar të TVSH-së nga 20% në 6% për disa produkte të shportës ushqimore. Sipas tyre, kjo masë mund të sjellë kursime për familjet shqiptare vetëm nëse ulja e taksës reflektohet realisht në çmimet në dyqane dhe nuk zgjat vetëm gjatë muajve të parë.
Shoqatat kërkojnë që Ministria e Financave të analizojë së bashku edhe efektet e rritjes së TVSH-së nga 20% në 21%, uljes së pragut të regjistrimit në TVSH nga 10 milionë në 5 milionë lekë xhiro vjetore, si dhe rritjes së tatimit mbi dividendin nga 8% në 15%.
Shqetësimi i tyre është se një pjesë e kostove shtesë të bizneseve mund t'u kalojë konsumatorëve përmes rritjes së çmimeve. Organizatat kërkojnë që Ministria e Financave të analizojë edhe një skenar të mundshëm të rritjes së çmimeve të disa produkteve apo shërbimeve me 15-20%, për të parë se sa do t'u kushtonte kjo familjeve shqiptare në muaj.
“I kërkojmë Qeverisë dhe Kuvendit të shpjegojnë publikisht sa nga rritja e pagës u mbetet realisht punëmarrësve dhe sa nga ulja e TVSH-së arrin te konsumatori përmes çmimit në dyqan”, thuhet në letër.
Mes nënshkruesve të kërkesës janë organizata të biznesit, sindikatat e arsimit, policisë, Gardës së Republikës, gazetarëve, si dhe organizata të shoqërisë civile.







Komente
Komento