Përtej faktit se çdo protestë që lind nga qytetarët është simbol i një demokracie ku liria e shprehjes dhe e manifestimit të pakënaqësisë janë baza të funksionimit të saj, duhet pranuar se, për sa kohë ajo mbetet qytetare dhe nuk njolloset nga prapaskena apo infiltrime për interesa të palëve të treta, protesta mbetet e shenjtë.

Sigurisht që çdo kundërshtim dhe presion ndaj establishmentit i bën mirë demokracisë, por vetëm kur motivet, qëllimet dhe kërkesat janë të qarta dhe pa prapavijë.

Kjo protestë, përtej madhështisë së saj, ka krijuar disa dritëhije dhe pikëpyetje.

Nuk kuptohet qartë pse një pakënaqësi ekonomike, e shprehur gjatë këtyre ditëve, duhet të përzihet me çështje kombëtare, me historinë dhe deri te figura e Skënderbeut.

A mund të më shpjegojë dikush se çfarë lidhjeje ka protesta në Tiranë me pjesëmarrjen e disa deputetëve të Vetëvendosjes?

A mund të shkojmë ne në Kosovë dhe të kërkojmë largimin e Albin Kurtit, me argumentin se nuk ka përmbushur premtimet e bëra kur ishte në opozitë, veçanërisht ato që lidhen me bashkimin kombëtar?

Çfarë lidhjeje ka kënga për Adem Jasharin me situatën ekonomike në Shqipëri?

Çfarë interesi kanë disa shqiptarë nga Maqedonia e Veriut që të vijnë e të kërkojnë largimin e qeverisë shqiptare?

Pse disa bashkëkombës që nuk jetojnë në Shqipëri, nuk konsumojnë këtu dhe nuk paguajnë taksa këtu, shfaqin një interes kaq të madh për rrëzimin e qeverisë shqiptare?

Pse, në ditën e 21-të të protestës, një pjesë e mirë e atyre që folën u paraqitën si përfaqësues të diasporës, ndërkohë që jashtë kufijve të Shqipërisë kanë udhëtuar vetëm për pushime?

Po ata persona që deri dje promovonin Bashkinë e Tiranës dhe paguheshin prej saj, çfarë i shtyu të dalin kaq hapur kundër këtij sistemi, ndërkohë që vazhdojnë ende të jenë pjesë e tij dhe të paguhen prej tij?

Pse pikërisht në momentet më të rëndësishme për Shqipërinë kërkohet të krijohet destabilitet?

Pse disa nga personat që flasin në protestë, gjatë ditës takohen apo këshillohen me pronarë mediash të caktuara?

Nuk jam kundër asnjë proteste të shëndetshme dhe qytetare. Përkundrazi, protesta është një e drejtë themelore demokratike. Por preferoj t’i analizoj ngjarjet në tërësinë e tyre dhe në bazë të kontekstit në të cilin ndodhin.

Prandaj pyetja që shtroj është e thjeshtë:

A i shërben vërtet kjo protestë Shqipërisë dhe shqiptarëve, apo interesave të dikujt tjetër?