Dy gjëra që mund të ndryshojnë politikën në Rusi

Dy gjëra që mund të ndryshojnë politikën në Rusi

Pamje nga protestat e 23 janarit në Moskë

RUSI- “Putini është hajn!” Turma ka thirrur kështu në qytetet në gjithë Rusinë më 23 janar, nisur nga Vladivostoku në Lindje të Largët, deri në Kaliningrad në Detin Baltik, duke u përballur me forca policore, ndërkohë që përballja e Aleksei Navalnyt me Kremlinin, ka hyrë në fazë të re.

Herën e fundit kur Rusia ka shënuar marshe të tilla, ka qenë marsi i vitit 2017, pasi Navalny ka publikuar një video, përmes së cilës ka akuzuar për korrupsion ish-kryeministrin, Dmitry Medvedev.

Protestat kombëtare janë iniciuar nga kritiku më i zëshëm i Kremlinit, i cili aktualisht është i burgosur. Mirëpo analistët besojnë se hetimi i ashtuquajtur “Pallati i Putinit” është përzier me burgosjen e Navalnyt, në një mënyrë që mund të ndryshojë bilancin politik në Rusi.

“Ekzistojnë dy motive për protestuesit, mirëpo ato janë duke u përzier”, ka thënë analisti politik Abbas Gallyamov për Radion Evropa e Lirë.

“Navalny është duke u bërë sinonim për luftën kundër korrupsionit”.

Navalny është kthyer në Rusi më 17 janar, pas pesë muajsh shërimi në Gjermani nga helmimi me agjent nervor Noviçok, sulm mbrapa të cilit beson se qëndron presidenti rus, Vladimir Putin.

Ai tani duket se ka siguruar mbështetje të mjaftueshme për t’i ikur ndonjë dënimi të gjatë me burgim, siç janë kërcënuar autoritetet – duke sfiduar më fuqishëm pushtetin e Putinit.

Një ditë më vonë, ai është burgosur për një muaj dhe tani pret vendimin e gjykatës për një shkelje që mund të rezultojë me dënim me burgim për 3 vjet e gjysmë.

Para se të dërgohej në burg, ai u ka bërë thirrje rusëve që të dalin në rrugë, si shenjë solidariteti.

Në një video-raport të publikuar një ditë më vonë – që deri më tani është parë më shumë se 70 milionë herë në YouTube – ai u ka thënë shikuesve se Putin dhe mbështetësit e tij “do të vazhdojnë të vjedhin edhe më shumë, derisa të bankrotojnë gjithë shtetin”.

Teksa ka bërë publik hulumtimin që tregon për një pallat 1.36 miliard dollarësh në Detin e Zi, kinse në pronësi të Putinit, Navalny ka thënë: Rusia shet sasi të madhe të naftës, gazit, metaleve dhe plehut – mirëpo të ardhurat e njerëzve vazhdojnë të bien, sepse Putin ka pallatin e vet”.

Rusët janë përgjigjur me protesta ndaj këtyre deklaratave, duke marshuar në të paktën 60 qytete, në disa prej të cilave temperaturat kanë arritur deri në -52 gradë Celsius.

Një grua duke protestuar në mot tejet të ftoftë

Shumë prej protestuesve kanë mbajtur pankarta duke cituar hulumtimin “Pallati për Putinin” dhe duke dënuar korrupsionin zyrtar.

Policia ka reaguar me forcë ndaj protestave paqësore, duke tentuar të shpërndajë vazhdimisht turmat, dhe duke mbushur furgonat me aktivistë – përfshirë gruan e Naavalnyt, Yulian, e cila është kthyer me burrin e saj nga Gjermania në Moskë.

Deri në fund të ditës së shtunë, në gjithë Rusinë është thënë të jenë ndaluar rreth 3,400 persona, bazuar në të dhënat e grupit vëzhgues, OVD-Info.

Televizioni shtetëror rus ka injoruar protestat, mirëpo nëpër disa platforma pro-qeveritare janë bërë akuza të pabazuara se Navalny është duke shpëlarë trurin e të rinjve.

Këto pretendime kanë qenë në linjë me tentimet e qeverisë për të diskredituar lëvizjen opozitare.

“Ai nuk po vendos në rrugë fëmijët e vet”, ka thënë një mysafir në një bisedë online të drejtuar nga kanali shtetëror RT, teksa ka folur për Navalnyn dhe aleatët e tij.

“Fëmijët e Navalnyt as që janë në Rusi!”

Mirëpo të dhënat për prezencë të adoleshentëve të turma ka qenë e vogël. Në Moskë vlerësohet se rreth 40,000 persona kanë protestuar në Sheshin Pushkin.

Një 14-vjeçar, i cili i ka treguar një gazetari se ka ardhur “për të shikuar” çka po ndodh, më vonë është ndalur nga policia, pavarësisht kritikave se “Ai është vetëm fëmijë!”

Thirrja e Navalnyt për të protestuar në mesin e dimrit dhe pandemisë së koronavirusit, është parë si test për aftësinë e tij për të siguruar mbështetje të madhe për një tjetër sfidim të Putinit, i cili ka qenë në pushtet për dy dekada, dhe në vitin e fundit përmes një referendumi, i është garantuar e drejta që të rikandidojë në zgjedhje më 2024 dhe sërish më 2030.

Një protestues duke u ndaluar nga policia

Ende nuk është bërë e qartë nëse protestat do të rezultojnë me shmangie të ndonjë dënimi të gjatë për Navalnyn.

Më 2013, marshet masive në mbështetje të tij jashtë Kremlinit dhe në qendra tjera në Moskë, kanë rezultuar me pezullim të dënimit të tij pesëvjeçar me burgim.

“Nëse protestat e 23 janarit nuk sjellin rezultat të menjëhershëm – lirimin e Aleksei Navalnyt – atëherë organizime të tilla do të ndodhin sërish”, ka thënë ndihmësi i Navalnyt, Leonid Volkov për Current Time, rrjetin televiziv në gjuhën ruse, i drejtuar nga Radio Evropa e Lirë, në bashkëpunim me Zërin e Amerikës.

E ardhmja e lëvizjes opozitare në Rusi mund të mbetet e paqartë, mirëpo madhësia e protestave – pavarësisht tentimeve për shtypje të tyre – sugjeron se një numër i konsiderueshëm i rusëve mund të jetë i vendosur për të vazhduar presionin.

Tatyana Stanovaya, analiste politike, ka thënë se autoritetet ruse “kanë bërë dy gabime kritike – helmimin e Navalnyt dhe arrestimin e tij”, duke sugjeruar se në vend të dobësimit, Kremlini vetëm e ka fuqizuar bazën e tij.

“Rezultatet e shumë shumë vjetëve të punës së përpiktë të Kremlinit për të përfshirë opozitën e vërtetë” në kuadër të margjinave politike “janë varrosur sot në mënyrë ceremoniale”, ka thënë Stanoyaya në platformën Telegram.

Përgjigjja e ashpër e policisë dhe numri i madh i arrestimeve mund të shfaqë shenja se çfarë mund të ndodhë nëse vazhdojnë protestat në javët në vijim, sidomos për shkak të zgjedhjeve parlamentare, që pritet të mbahen në shtator të këtij viti.

Ndërkohë, popullariteti i Putinit ka rënë, për shkak të rritjes së zemërimit që lidhet me mbështetjen që ka ofruar shteti në kohën e pandemisë së koronavirusit.

Në muajt e fundit, presidenti rus ka kaluar pjesën më të madhe të kohës jashtë Moskës, duke bërë pak paraqitje publike.

Ai as nuk ka komentuar publikisht raportin e Navalnyt për pallatin në Detin e Zi, për të cilin zëdhënësi i tij ka thënë se është “gënjeshtër”.

“Navalny ka marrë iniciativën”, ka thënë analisti Gallyamov.

“Tani shteti është duke mbrojtur veten”./ REL

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë