Të mërkurën policia goditi një bandë droge, me strukturë shpërndarësish në shkolla dhe lokale nate të Tiranës. 20 persona të moshave të ndryshme u arrestuan, 4 po kërkohen, mes tyre 3 vajza.

Për të kuptuar më mirë atë që ndodh në gjimnaze, Report Tv u takua me dy adoleshentë përdorues pranë kangjellave tek “Petro Nini Luaras” në Tiranë

'Gjimnazist jam dhe unë, në vitin e tretë. Nuk jam përdorues i fortë, por për qef. Kur mblidhemi për ditëlindje. Nuk jemi përdorues të varur nga droga. Me shokët, hajde pije. Hamë bukë.Të bën të hash bukë shumë. Para një viti, 16 vjeç e kam konsumuar për herë të parë. Të lezeton, të heq streset. E ke mendjen për të qeshur, jo për të mbajtur mendjen tek stresi. Ka, është hashashi'.- u shpreh ai.

Shoku tjetër, tregon se drogën e mësoi në lagje, poshtë pallateve apo në rrugicat pa ndriçim. Kurse në shkollë shumë shokë e shoqe të tij e marrin normalisht, kryesisht kanabis.

“18 vjeç, prej një viti. E nisa nëpërmjet shokëve, në lagje. Në çdo cep konsumohet. Kanabis. Është për të rinjtë. Është qetësuese. Rinia ka strese. Është dhe pjesë qejfi. Nuk është se është e domosdoshme. Me raste për qejf. 2-3 herë në javë. Nuk e kalojmë cakun. Është e lehtë me e gjet. Në çdo cep. E dallon. Kush e pi e di. I shohin dhe vetë ato që e shesin tha njëri prej tyre.'- tha një adoleshent tjetër.

Për këta dy nxënës të konsumosh kanabis, nuk ka asgjë të keq. Por të rriturit, familjarët e paragjykojnë dhe e dramatizojnë situatën më shumë nga sa është në realitet.

'Nuk është se është drogë e rëndë, por mentaliteti që është drogë, drogë. Për momentin të jep adrenalinë, të heq stresin. Për të lënë e kam lënë, se të pish një teke që e konsumojmë me 4-5 persona, është e lënme. Thjesht është ai fiksimi me çunat. Nuk është e shtyrë, se të gjithë i dinë vetë gjërat e veta. Kur je I vetmi në grup që se pinë se si ndihesh. Tani e pi me qejf, por në fillimet e mia e kisha të domosdoshme. Është fiksim jo se ta kërkon trupi. Është në mendje”,- u shpreh i riu.

Fëmijët nuk presin të përfundojnë mësimin, por dalin në çdo orë për të kërkuar drogën. Ka shumë djem e vajza që marrin drogë në shkolla

“Një dozë nga 5 mijë deri në 10. Pastaj ke dhe çmime të larta. Lekët i sigurojmë me punë, edhe nga shtëpi. Jam gjimnazist, në vit të tretë. Gjithë rinia e konsumon. Shoh nxënës të klasë së 9, moshatar, më të mëdhenj që e pinë. Edhe gocat e konsumojnë”. “Një dozë kushton 5 deri në 10 mijë lekë”, tha tjetri.

Ballafaqimi me familjen është momenti më i vështirë për kato përdorues të vegjël. Ndaj edhe përpiqen të largohen prej saj.

“Të shtëpisë ja kam treguar vetë. Tani e pi me raste. Çdo gjë bëhet për vete, por normal si prind nuk ju ka ardhur mirë”.- tha ai.

Për çdo rast kur duan të përdorin hashash kanë me vete edhe sendet e nevojshme.

“Kjo shërben për të kaçifuar barin dhe kjo tjetra është për ta dredh. Blihen në tabako. Janë legale. Kushtojnë 5 mijë lekë dhe 150 lekë. Sa të duash ti. Pa fund përdorimi”, tha tjetri.