Tirana vijon të jetë në fazën përgatitore në Ohër. Nënkampionët e Shqipërisë po përgatisin ndeshjen e parë të Conference League, atë kundër Dinamo Batumi në "Air Albania" më datë 13 korrik. Kundër gjeorgjianëve Tirana kërkon suksesin në ndeshjen e parë, për të shpresuar më pas në një transfertë të suksesshme një javë më pas.
Para sfidave, për faqen e klubit ka folur trajneri Orges Shehi. Durrsaku shpreson se forma do vijë në rritje, teksa duket i gëzuar që nuk ka asnjë lojtar të dëmtuar.
"Faza përgatitore po shkon mirë. Lojtarët kanë marrë ngarkesa dhe pa dëmtime, që është shumë e rëndësishme. Besoj tani që ulen ngarkesat, forma do të vijë në rritje, sepse vjen dhe freskia e lojtarëve pas ngarkesës që kanë marrë. Prurjet e reja janë me shumicë dhe përpos anës fizike, tekniko-taktike, është shumë e rëndësishme njohja dhe përshtatja me njëri-tjetrin”, tha ai.
Kujtojmë se Tirana ka humbur në dy miqësoret e para, atë kundër Dukagjinit (2-1) dhe Ballkanit (3-1).