TIRANE - Afro dy javë nga zhdukja e 10-vjeçarit Julian Çela, djalit të nëndrejtorit të Antiterrorit në SHISH Skënder Çela, familja nuk ka asnjë gjurmë nga djali i tyre, ndërsa mbetet ende në pritje të një lajmi.Të afërmit vazhdojnë kërkimet ndërsa jashtë kamerave shprehen se askush s’i ka telefonuar në tre numrat e kontaktit.

Grupi hetimor i ngritur për rastin e humbjes së Julianit që prej 30 nëntorit, është ende duke punuar dhe pse ka administruar dëshmi të shumta të cilat kanë hedhur dritë se me kë shoqërohej Juliani, ku qëndronte dhe ç’sjellje kishte.

Në një intervistë dhënë për televizionin A1Report, punonjësja e internetit që Juliani është parë për herë të fundit thotë se Julin e thirri dikush dhe ai doli e që prej atij momenti ajo rrëfen se nuk e ka parë më djalin.

“Julin e thirrën jashtë, po se kush nuk e vura re, jo te dera më poshtë. Juli doli, kaq mbaj mend. Di edhe këtë që hyri pa shok e doli pa shok, doli vetëm. Dikush e thirri por Juli nuk tha përshembull, kush je ti, nuk foli por doli. Njeri me zor nuk merr. Julin nuk e ka nxjerr njeri me zor”, tha zonja Zana, pronarja e qendrës së internetit ku Juliani është parë për herë të fundit.

Zhdukja e djalit 10-vjeçar të nëndrejtorit të Antiterorrit në SHISH, Skënder Çela ndodhi në rrethana të paqarta, ndërsa për herë të fundit Juliani është parë në një qendër interneti në zonën e Laprakës në Tiranë, ku dhe banon familja e tij.

Free and Fair Media Group (A1Report dhe Shqiptarja.com) i është bashkuar prej disa ditësh përpjekjeve të familjes Çela për gjetjen e djalit. Nëpërmjet një hapësire të veçantë kushtuar zhdukjes së 10-vjeçarit, grupi mediatik është sensibilizuar me dhimbjen dhe ankthin e familjarëve, të cilët prej 13 ditësh nuk dinë asgjë për fatin e djalit të tyre. Foto e Juliani vjen e shfaqur në një hapësirë të veçantë në Shqiptarja.com dhe A1Report së bashku me numrat e telefonit të cilat mund t’i kontaktojë kushdo që ka informacion lidhur me vendndodhjen e Julian Çelës.

FAMILJARET: SHPERBLIM PER KE INFORMON

Gjatë ditës së djeshme familjarët e djaloshit 10-vjeçar Julian Çela, vunë në dispozicion një shpërblim në shumë parash për këdo që jep informacion lidhur me djalin e tyre. Familjarë të tij thanë për televizionin A1Report se janë të gatshëm të ofrojnë një shumë të konsiderueshme parash për çdo person që mund të ketë çfarëdo informacioni që do të çonte në gjetjen e Julianit. Për këtë arsye familjarët e tij kanë vënë në dispozicion 3 numra telefoni 0696503814, 0694321796, 0685804565 dhe luten që çdo e dhënë apo informacion të përcillet në këta numra.

INTERVISTA E PLOTE ME PRONAREN E INTERNETIT

Zonja Zana, si e kujtoni momentin e fundit kur Juliani ka qenë i pranishëm në qendrën e internetit ku ju punoni?
Me datë 30 Juli ka ardhur në internet, është futur brenda rreth orës 15:00 ose 3 pa një çerek (nuk jam shumë e saktë) ka hyrë brenda dhe ka shkuar në fund të kompjuterëve. Aty nxori një flamur dhe më tha: Teta e do këtë flamurin? Unë qesha: Tani që mbaruan festat ma jep flamurin? Edhe ai qeshi. Nuk kaloi as një minutë dhe Julin e thirrën jashtë, po se kush nuk e vura re, jo te dera më poshtë. Juli doli, kaq mbaj mend. Di edhe këtë që hyri pa shok e doli pa shok, doli vetëm. Dikush e thirri por Juli nuk tha përshembull, kush je ti, nuk foli por doli. Njeri me zor nuk merr. Julin nuk e ka nxjerr njeri me zor, sinqerisht se unë jam nënë vet.

Prej atij momenti nuk ka më gjurmë të Julit në këtë zonë ose në këtë qendër interneti?

Mendohet që është parë dhe kanë deklaruar disa veta që është para nga shinat e trenit, kanë deklaruar në policinë e shtetit. Në mes të fëmijëve rezulton që është parë, te shinat e trenit dhe te stacioni i trenit. Është parë me nga dy veta,por që nuk jam tepër e saktë.

Si ka qenë gjendja e tij në momentin e fundit që ju e keni parë?
I qeshur, edhe ishte djalë i urtë, jo me vese të këqija, me një ves siç mund ta kemi dhe ne të mëdhenjtë, por jo problematik.

3 PISTA HETIMI
Pista e parë është natyrisht ajo e një rrëmbimi nga persona të interesuar dhe që lidhet me detyrën e Skënder Çelës, babait të Julianit. Ai është nëndrejtor në Drejtorinë e Antiterorrit në SHISH dhe mbulon Sektorin Kundër Krimit të Organizuar. Por e kaluara e 10-vjeçarit dhe rrethanat e fundit kur ai është parë nga disa njerëz kanë ngritur dhe dy pista të tjera.

Pista e dytë autoritetet policore janë informuar se 10-vjeçari edhe më parë ishte larguar disa herë nga shtëpia por megjithatë asnjëherë largimet e tij nuk kanë zgjatur kaq shumë. Kjo është një tjetër mundësi për hetuesit, që Julian Çela të jetë larguar me vullnetin e tij, sikundër ka bërë edhe më parë.

Pista e tretë lidhet me një të ri 16-vjeçar të quajtur G.Prendi i cili dyshohej në ditët e para nga familja dhe hetuesit si personi që e kishte thirrur i fundit Julianin gjatë kohës që ai ishte në internet-kafe. Madje deri pasditen e së mërkurës policia i dinte “të zhdukur” që të dy, por të mërkurën 16-vjeçari G.Prendi u gjet dhe u mor në pyetje. Ai ka pasur disa precedentë të lehtë penalë kryesisht për vjedhje. Por gjatë marrjes në pyetje ai mohoi kategorikisht të kishte shok Julianin duke thënë se thjesht e njihte atë. Me tepër forca G.Prendi ka mohuar faktin se mund të kishte qenë personi që e thirri i fundit kur Juliani ishte në internet. Pasi u pyet tre orë rresht 16-vjeçari G.Prendi u la i lirë nga policia.

JULIANI HUMBI GJURMET NE 30 NENTOR
Dita kur Juliani ka humbur gjurmët ka qenë ajo e 30 nëntorit. Djali nuk kishte shkuar në shkollë pasi oraret e mësimit ishin të shkurtuara për shkak se ishte një ditë pas festave të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Vogëlushi ka qëndruar në orët e paradites në shtëpi, ndërsa është detyruar të dalë jashtë për shkak të shkëputjes së linjës së internetit në banesën e tij. Juliani ka shkuar në një qendër interneti në lagjen ku ai banon, në Laprakë.

(Gre.M/Shqiptarja.com)