TIRANË - Kombëtarja shqiptare e futbollit ka nisur zyrtarisht përgatitjet për dy miqësoret e muajit qershor. Më 3 qershor kuqezinjtë do të presin Izraelin në 'Air Albania', ndërsa po në Tiranë më 6 qershor do të jetë kundërshtar Luksemburgu.

Ekipi kuqezi është grumbulluar prej të dielës në Tiranë, ndërsa sot në orën 18:00 trajneri i ri Rolando Maran do të drejtojë për herë të parë ekipin. Këtë mesditë nga stadiumi 'Air Albania' përpara medieve dolën Myrto Uzuni dhe Juljan Shehu.

Uzuni, i cili luan në SHBA me Austin dhe është në 'vallen e merkatos', tha se me Maran ekipi mund të luajë më shumë në sulm.

"Takimi me trajnerin e ri dhe atmosfera? Normalisht që është stafi i ri, edhe në sistem më ndryshe. Me trajnerin e ri mund të luaj më ofensiv. Dhe dëshira është që të shënoj shumë gola. Normalisht do tregojmë veten, të gjithë mund të luajmë titullar.

Situata me Austin FC? Normalisht që kam kontratë. Kam patur një ofertë shumë të mirë në janar. Ka qenë e mbyllur si tratativë, por në momentet e fundit është prishur për shkak se edhe klubi i Austin nuk kishte shumë prurje në ekip.

Cikël i ri? Siç e thashë edhe më përpara, i uroj suksese trajnerit Sylvinho. Përsa i përket trajnerit të ri, siç e shohim eksperiencën me skuadrat ku ka qenë, sulmuesit e tij kanë shënuar shumë gola dhe uroj që kjo të ndodhë edhe me ne", tha Uzuni.

Ndërkohë që Juljan Shehu tha se ende nuk e di rolii e tij në fushë, por do të bëjë maksimumin.

"A besoni se me trajnerin e ri do të jeni më pranë portës? Mendoj se çdo trajner ka idetë e veta përsa i përket pozicionimit të lojtarëve në fushë, nuk e di nëse do të jem më përpara apo në të njëjtin pozicion, e rëndësishme është që sa herë të jem në fushë me Kombëtaren të jap maksimumin dhe më të mirën për ekipin. Nuk e di saktësisht ku do të jem se trajneri ka idetë e veta për lojën, do të bëj maksimumin nëse do jem para ose do të jem më mbrapa.

A mendoni se me trajenrin Maran do ndryshojnë disa gjëra? Çdo trajner dëshiron ta krijojë ekipin në bazë të ideve që ka, mund të ketë ndryshime dhe është normale që të ketë përderisa trajneri është i ri. Shpresoj që këto dy ndeshje të jenë shumë të rëndësishme për ne, përsa i përket vazhdimësisë që do kemi në ndeshjet e Ligës së Kombeve në shtator, do të bëjmë maksimumin dhe të ndërtojmë identitetin tonë me trajnerin e ri.

Rëndësia e ndeshjeve në Ligën e Kombeve? Ndeshje shumë të rëndësishme. Ne do të bëjmë maksimumin. Do aplikojmë idetë tona me trajnerin. Çdo lojtar e meriton të jetë pjesë e ekipit Kombëtar, në bazë të asaj që jep në fushë, do të luajë ai që meriton të luajë", tha Shehu.

Stërvitja e sotme e Kombëtares do të zhvillohet në orën 18:00, ndërsa nesër në orën 16:30 trajneri Rolando Maran do të dalë përpara medieve me një futbollist të ekipit në prag të ndeshjes kundër Izraelit.