Kombëtarja shqiptare e futbollit do të zhvillojë dy ndeshje miqësore në qershor, të dyja në Tiranë. Nesër (3 qershor) tanët do të kenë përballë Izraelin, ndërsa më 6 qershor kuqezinjtë do të përballen kundër Luksemburgut.
Trajneri i ri i Shqipërisë të futbollit, Rolando Maran, pati mundësinë që pasditen e të hënës të drejtonte për herë të parë stërvitjen e ekipit. Italianit nuk i shkuan gjërat sipas planit pasi kishte dy mungesa.
Gjatë pasdites së djeshme FSHF njoftoi se mbrojtësi Ardian Ismajli u largua nga grumbullimi për shkak të problemeve fizike, ndërsa mbrojtësi Naser Aliji u la të zhvillonte një fazë rikuperimi për shkak se 24 orë më parë kishte luajtur 90 minuta me Dinamon.
Grupi tjetër prej 25 futbollistësh fillimisht u ushtruan në palestër dhe më pas zbritën në fushë për ushtrimet taktike, ndërsa klima në ekip u pa e qetë.
Sot në orën 16:30 trajneri Maran dhe një lojtar do të dalin para medieve në konferencën zyrtare për shtyp para ndeshjes ndaj Izraelit.
Komente









