TIMISOARA, Rumani - Udhëtimi i kthimit për në Greqi i dy tifozëve të plagosur të PAOK-ut filloi në orën 10:42 të mëngjesit të sotëm, kur avioni spitalor i Qendrës Kombëtare të Kujdesit dhe Emergjencës së Greqisë (EKAB) la pistën e aeroportit të Timisoarës në Rumani. Tifozi i tretë i PAOK-ut i cili është i plagosur, iu nënshtrua dje një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe nuk iu rekomandua lëvizja e shpejtë.

20-vjeçari Konstantino dhe 28-vjeçari Mario pritet të mbërrijnë në Greqi dhe më konkretisht në aeroportin 'Makedonia' të Selanikut rreth orës 13:00 të mesditës së sotme, ku do të merren nga ambulancat për t'u çuar në spitalet e qytetit.

I plagosuri i tretë, 20-vjeçari Kosta, duhet të qëndrojë për pak kohë në spitalin e Timisoarës, ndërsa dje iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale.

Sot kthimi i trupave të shtatë tifozëve të PAOK-ut që ndërruan jetë

Sot pasdite, një fluturim special do të kthejë në Selanik trupat e shtatë tifozëve të PAOK-ut që humbën jetë të martën pasdite në Rumani në aksidentin tragjik. Ndërsa hetimi nga autoritetet rumune vazhdon, pyetjet kritike mbeten pa përgjigje, në lidhje me shkaqet e sakta të aksidentit. Të plagosurit dhe trupat e shtatë viktimave do priten në aeroportin e Selanikut nga tifozët e organizuar të PAOK-ut.

Ngjarja

Mesditën e të martës, furgoni i zi me të cilin tifozët e PAOK-ut ishin nisur nga Selaniku me destinacion Lyonin në Francë, u përplas "kokë më kokë" me një kamion në rajonin e Timis në Rumani, duke lënë pas shtatë viktima, tifozë të PAOK-ut. Mes tyre edhe shqiptarin Vasil Pilo. Mes të lënduarve është edhe një tifoz me origjinë shqiptare, Genci Sadiku, por që mund të ketë dy emra ndaj nuk ndodhet në emrat më sipër.