TIMISOARA, Rumani - Sot në orën 15:20 avioni C130 i Forcave të Armatosura të Greqisë la pistën e aeroportit të Timisorës dhe u drejtua drejt Selanikut, teksa në bordin e tij u vendosën shtatë arkëmortet me trupat e tifozëve të PAOK-ut të cilët humbën jetën në aksidentin tragjik të së martës, kur furgoni i tyre u përplas "kokë më kokë" me një kamion në rajonin Timis të Rumanisë.

Dhjetë tifozët e klubit grek kishin si destinacion final Lyonin, ku sot në orën 21:00 klubi i tyre do luajë kundër francezëve për raundin e fundit (8) në fazën e ligës së Europa League.

Këtë të enjte në mëngjes, dy nga tre të plagosurit u nisën drejt Selanikut. Udhëtimi i kthimit për në Greqi i dy tifozëve të plagosur të PAOK-ut filloi në orën 10:42, kur avioni spitalor i Qendrës Kombëtare të Kujdesit dhe Emergjenës së Greqisë (EKAB) u nis nga aeroporti i Timisoarës. Tifozi i tretë i PAOK-ut i cili është i plagosur, iu nënshtrua dje një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe nuk iu rekomandua lëvizja e shpejtë.

20-vjeçari Konstantino dhe 28-vjeçari Mario mbërritën në Greqi dhe më konkretisht në aeroportin 'Makedonia' të Selanikut rreth orës 13:00 të mesditës së sotme, nga ku u dërguan me autoambulanca drejt spitalit, pasi do mbahen ende nën vazhgim. I plagosuri i tretë, 20-vjeçari Kosta, duhet të qëndrojë për pak kohë në spitalin e Timisoarës, ndërsa dje iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale.

Ngjarja

Mesditën e të martës, furgoni i zi me të cilin tifozët e PAOK-ut ishin nisur nga Selaniku me destinacion Lyonin në Francë, u përplas "kokë më kokë" me një kamion në rajonin e Timis në Rumani, duke lënë pas shtatë viktima, tifozë të PAOK-ut. Mes tyre edhe shqiptarin Vasil Pilo. Mes të lënduarve është edhe një tifoz me origjinë shqiptare, Genci Sadiku, por që mund të ketë dy identitete ndaj nuk ndodhet në emrat më sipër.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:24
Me trëndafil të bardhë mbi çdo arkëmort, trupat e shtatë tifozëve të ndjerë të PAOK-ut nisen për në Selanik! Mitropoliti Ioan zhvillon Trisainë

1769696809_paokselanik.JPG

Me avion ushtarak të forcave greke, trupat e shtatë tifozëve të PAOK-ut që humbën jetën të martën në Rumani, u nisën nga aeroporti i Timisoarës në drejtim të Selanikut. Në ambientet e aeroportit të Timisoarës, Mitropoliti Ioan zhvilloi edhe Trisainë e përshpirtjes për shtatë të ndjerët, teksa vendosi nga një trëndafil të bardhë mbi shtatë arkëmortet. Mes tifozëve që ndërruan jetë ishte edhe shqiptari me origjinë nga Korça, Vasil Pilo. Nuk munguan lotët te të pranishmit.