Dy problemet e Bashës me mosnjohjen e zgjedhjeve

Dy problemet e Bashës me mosnjohjen e zgjedhjeve

Sali Berisha dhe Lulzim Basha

Partia Demokratike duket se po shkon drejt mos njohjes së zgjedhjeve, por këtu ka se paku dy probleme të mëdha që kanë të bëjnë me qëndrimet e lidershipit të saj.

Së pari është kontradikta mes Bashës europian, sa kohë mendon se mund të fitojë dhe Bashës rob të Berishës në momentin që humbet një betejë politike. Pasi Basha i parë gjatë gjithë fushatës së zgjedhjeve nuk u ankua në asnjë moment për fushatën e PS dhe Edi Rames. Madje edhe ditën e zgjedhjeve, kur votoi vetë dhe në përfundim të procesit, Basha u shpreh mëse i kënaqur për mbarëvajtjen e procesit dhe tha se vullneti i popullit ishte në kuti e tani duhej vetëm lexuar.

Ndërkohe që duke filluar nga e nesërmja ndryshoi mendim e ka arritur deri në pikën kur thotë se procesi ishte i trukuar. Bashën mund ta mirëkuptonim nëse do të ngrinte pretendime mbi procesin e numërimit, pasi mund të justifikonte veten me faktin se fushata deri në përmbyllje të votimit kishte qene e shkëlqyer, siç e tha ai vetë, por procesi pasues, ai i numerimit kishte qenë problematik. Por Basha as nuk e thotë këtë e as nuk mund ta thotë në fakt, pasi procesi i numërimit ishte transparent, me vëzhgues nga të gjitha krahët dhe në çdo rast i filmuar në kamera. Ndaj ai tani duket shumë qesharak kur bashkë me Ilir Metën deri në momentin e shpresës se mund të fitonin lëvdonin procesin dhe thonin me siguri se vullneti ishte në kuti e kur panë se humbën, përgënjeshtrojnë vetveten.

Problemi i dytë ka të bëjë me faktin se Basha pretendon se humbja e tij erdhi për faktin se Rama rindërtoi shumë shtëpi të prishura nga tërmeti, vaksinoi shume shqiptarë kundër COVID-it dhe në përgjithësi ka ndërtuar shume rrugë, kopshte e shkolla. Ky pretendim i Bashës është absurd, pasi jo vetëm që Rama ka bërë asgjë më shumë se detyrën e tij si Kryeministër, por të shpresosh e të fajësosh kundërshtarin pse ka vaksinuar njerëz e rindërtuar shtëpi është të pranosh vetë se vetëm dështimi i tjetrit mund të të sjellë në pushtet, pasi ti vetë je i paaftë për të fituar votën e shumicës.

Dhe në fakt kjo është e vërteta që u provua edhe këto palë zgjedhje. Më shumë se pretendimi i Bashës për shumicën e heshtur që do të shporrte Edi Ramën nga godina e Kryeministrisë, pamë një shumicë që kishte frikë nga ndryshimi. Një shumicë që ndonëse me kritika ndaj Edi Ramës dhe qeverisjes së tij, tregoi se beson ende tek Kryeministri, se vlerëson punën e bërë prej tij tetë vitet e fundit, gjykon pozitive menaxhimin e posttërmetit dhe pandemisë dhe shpreson në vizionin e Shqipërisë kampione të Ballkanit. Një shumicë që sërish zgjedh Edi Ramën, ashtu të vetëm, përballë Lul Bashës, Ilir Metës, Monika Kryemadhit dhe Sali Berishës.

Këto ishin zgjedhje përgjithësisht të qeta, e cila edhe pse u njollos nga ekzekutimi që bën në Elbasan bandat e armatosura të PD apo rastet flagrante të blerjes se votave nga kandidatë të LSI ende në kërkim, mbeten sot e kësaj dite zgjedhjet me të mira të 30 viteve të fundit.

Ndaj nëse Lulzim Basha ka vendosur të përdorë këtë retorikë për të justifikuar humbjen e radhës e për të mos lëshuar partinë, kjo është strategjia e tij. Por nëse seriozisht beson se fitoren Edi Rama ia ka rrëmbyer padrejtësisht, atëherë Partia Demokratike ka një problem shume të madh. Pasi nëse Rama hyri në histori si i vetmi kryeministër që fitoi 3 mandate rresht, Basha theu rekordin e të vetmit kryetar partie që pëson humbjen e 5 palë zgjedhjeve njëra pas tjetrës dhe partinë nuk e dorëzon.

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës