Sali Berisha mungoi sërish këtë të shtunë në protestën e thirrur vetë përballë Kryeministrisë. Për të shtunën e dytë radhazi vetëm një grup militantësh iu përgjigj. Pamjet me dron të Report Tv, ora 13:00, tregojnë pjesëmarrjen kur të gjithë protestuesit e thirrur nga PD kishin mbërritur para zyrës së Ramës.

Në mungesë të Berishës fjalën e mbajti krahu i tij i djathtë, Flamur Noka. Edhe pse para zyrës së Ramës, njëjtë si kryetari një ditë më parë, Noka sulmet kryesore i kishte drejt një drejtuesi të një partie tjetër opozitare, Arlind Qorrit.

“Pa Qorrin dhe 50 komunistë të tij, Edi Rama nuk do të kishte asnjë mundësi të artikulonte ANTIFA-n. Shqipëria nuk ka ANTIFA. Por komunistët e Qorit dhe me luftë kundër opozitës i bënë shërbimin më të mirë Edi Ramës. Shqiptarët kanë të drejtën të votojnë kë të duan. A e mbani mend protestën e studentëve në 2018-ën? A ishte Qori që u fut ‘Kal Troje’ me marksistët e tij në protestë? Ne e kemi detyrë të jemi këtu për të vërtetën”, tha Noka.

Pas qëndrimit vetëm disa minuta para Kryeministrisë, PD nisi marshimin drejt Ministrisë së Arsimit, ku tashmë prej rreth një ore ishin mbledhur të rinj protestues.

Teksa PD po mbërrinte në Rrugën e Durrësit, demokratët u pritën me thirrjet “Rama në burg, Berisha në burg”, “opozita jemi ne”, “ju erdhi fundit”, “mos na e merrni kauzën”.

Për t’i dhënë mesazhin e qartë se PD nuk kishte vend në rrugën që prej gati 3 javësh protestojnë, të rinjtë vendosën një kordon për t’u ndarë nga mbështetësit e Berishës.

Në shesh u dëgjua fort thirrja “opozita jemi ne”, edhe pse të rinjtë ishin më të paktë në numër këtë të shtunë.

Ndarja e madhe gati sa nuk precipitoi në përplasje fizike, teksa disa militantë të PD kishin arritur të infiltroheshin mes protestuesve.

Mbështetësja e PD: Bashkohemi kundër Edi Ramës, ju duhet opozita

Protestues: Kjo protestë është Rama në burg Berisha në burg. Çdo qytetar është i mirëpritur, deputetët të ikin, sepse janë simbol I partive politike që na kanë rrënuar në të gjitha këto vite.

Mbështetësja e PD: Unë e para nuk jam dakord me atë parullë.

Protestuesi tjetër: Mos fusni përçarje se do të tërhiqeni zvarrë

Protestuesja: Rinisë i takon e ardhmja e Shqipërisë, as Flamur Nokës dhe as Sali Berishës

Mesazhet dhe thirrjet e të rinjve ishin të qarta.

E reja: Ne duam që kauzën tonë të mos e marrë asnjë parti, ndërsa në kor protestues të tjerë thërrisnin “jo deputetët”, “poshtë komunizmi” “poshtë sorosianët”, “Arresto berishën”, “Partia Demokratike, si u shite gjithë këto vite”

Ndryshe nga disa militantë, deputetët e Partisë Demokratike nuk guxuan të afroheshin para Ministrisë së Arsimit, por qëndruan në krye të Rrugës së Durrësit, afër kafe Florës. 

Sipas tyre grupi i njerëzve që nuk i do është i vogël dhe armiku sërish është Qori.

“Po ruajmë gjakftohtësinë, ne kemi dalë kundër Raës, ata kanë dalë kundër opozitës. Këtu PD nuk e shkul dot askush nga sheshi, ata qoristat do ta marrin përgjigjen një për një”, tha Noka. 

“10 apo 12 njerëz që kanë më shumë zë kundër opozitës së Ramës le ta vijojnë strategjinë e tyre. Nuk e shpëtojnë dot Ramën”, tha Bardhi për Report Tv.

Pas përplasjeve verbale me militantët e PD, protestuesit e përqendruan vëmendjen te policia së cilës i hodhën gurë e molotovë. Ndërhyrja e uniformave blu me autoboitin e ujit dhe reshjet e shiut i ndalën duke i nxitur të marshonin drejt Kryeministrisë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:05
Studentët larguan demokratët nga protesta, Bardhi për Report Tv: Luftën e kemi me Ramën, jo me partitë e vogla (VIDEO)

Pas refuzimit të studentëve për të pranuar militantët dhe deputetët e PD-së në protestën para Ministrisë së Arsimit, Gazment Bardhi tha për Report Tv se demokratët nuk e kanë betejën me partitë e vogla, por me kryeministrin Edi Rama.

“10 apo 12 njerëz që kanë më shumë zë kundër opozitës sesa Ramës, le ta vijojnë strategjinë e tyre. Nuk e shpëtojnë dot Ramën. Nuk ka askush dyshime që PD është partia më e madhe e opozitës dhe nëse ne betejën do ta kishim me parti të vogla, mund të bënim luftë me ta. Ne jemi të vërtetë, luftën e kemi me Ramën dhe do të vazhdojmë luftën me Ramën”, tha Bardhi për Report Tv.

Ora 14:48
Deputetët e PD distancohen nga protestuesit, Balliu ‘komanda’ në telefon (VIDEO)

 

Për të shmangur incidentet me protestuesit te Ministria e Arsimit, deputetët e PD janë tërhequr më në hyrje të “Rrugës së Durrësit.”

Në protestë shihet edhe Klevis Balliu që mbulon gojën me dorë ndërsa komunikon në celular.

Ora 14:29
Protesta te Ministria e Arsimit/ ‘Maskat’ shënjestrojnë policët, i gjuajnë me llastiqe (VIDEO)

 

Disa protestues të maskuar janë radhitur para policëve te Ministria e Arsimit dhe qëllojnë me llastiqe.

Krah tyre ka 3 kosha mbeturinash që digjen.

Ora 14:15
Protestuesit përzënë militantët e Berishës, Flamur Noka ia faturon Arlind Qorit: Nuk ikim nga sheshi, Qoristat do ta marrin përgjigjen një për një (VIDEO)

 

Refuzimi i të rinjve për të pranuar militantët dhe deputetët e PD-së në protestën para Ministrisë së Arsimit ka irrituar Flamur Nokën, i cili ia faturoi Arlind Qorit thirrjet kundër Berishës.

Pavarësisht kordonit të krijuar nga protestuesit dhe thirrjeve “Berisha në burg”, Noka këmbënguli se askush nuk mund ta largojë PD-në nga sheshi, ndërsa tha se mbështetësit e Qorit “do ta marrin përgjigjen një për një”.

“Po ruajmë gjakftohtësinë, ne kemi dalë kundër Raës, ata kanë dalë kundër opozitës. Këtu PD nuk e shkul dot askush nga sheshi, ata qoristat do ta marrin përgjigjen një për një”, tha Noka.  

Ora 14:10
Protestuesja: Nëse dikush po tenton të prish këtë protestë ne i hedhim në kosh

Tensione janë shënuar te Ministria e Arsimit, pasi militantët e PD donin t'i bashkoheshin protestës së studentëve.

"Nëse dikush po tenton të prish këtë protestë ne i hedhim në kosh", tha protestuesja.

Ora 14:08
Tensionet me militantët e PD, protestuesi: Duam rrëzimin e sistemit Rama-Berisha! Thirrje në kor: Si u shite gjithë këto vite, Parti Demokratike (VIDEO)

Një protestues ka shpjeguar për Report Tv irritimin e tij për praninë e deputetëve të PD dhe opozitës në protestën te Ministria e Arsimit, që po përpiqen t’i bindin të bëhen bashkë.

“Ne kemi 5 muaj në protestë, jemi për të njëjtin qëllim, për rrëzimin e këtij sistemi Rama-Berisha. PD ka muaj që kërkon të kapë protestën dhe ta prishë protestën”, tha protestuesi.

Pas tij, dëgjohen thirrjet në kor të protestuesve "Si u shite gjithë këto vite, Parti Demokratike."

Ora 14:04
Protesta te Ministria e Arsimit/ Gazment Bardhi, Saimir Korreshi e Xhelal Mziu mes turmës (VIDEO)

 

Deputetët demokratë Gazment Bardhi, Saimir Korreshi e Xhelal Mziu janë të pranishëm në protestën te Ministria e Arsimit, por po qëndrojnë në hyrje të “Rrugës së Durrësit.”

Ora 13:57
Berisha fut militantët në protestë, tensione me protestuesit: Përçarja i shërben Ramës! Të rinjtë: Demokratët të vijnë, Saliu e deputetët jo! (VIDEO)

Protestuesit para Ministrisë së Arsimit i kanë pritur me ‘këmbët e para’ militantët e Partisë Demokratike që po përpiqen t’u bashkohen. Ata kanë krijuar një kordon për të mos i lejuar, ndërsa kanë nisur edhe thirrjet “Rama në burg, Berisha në burg” dhe “opozitë e shitur.”

Një përfaqësuese e PD u bën thirrje të bashkohen sepse përçarja i shërben Ramës, por protestuesit i thonë se ata janë bashkë. Ata i thonë se demokratët janë të mirëpritur, por jo Berisha dhe deputetët e tij kur protesta është edhe kundër opozitës.

Përfaqësuesja e PD: Po i shërbeni Ramës! Bëhuni sot bashkë!

Protestuesi: Kjo parti e ka sjellë popullin këtu!

Përfaqësuesja e PD: Sot bëhuni gjithë shqiptarët bashkë për të rrëzuar Edi Ramën!

Protestuesi: Shqiptarët janë bashkë!

Protestuesi tjetër: Çdo qytetar është i mirëpritur të vijë! Deputetët duhet të shmangen sepse janë simbol i partisë që përfaqësojnë. Ai që nuk është i mirëpritur është një person që vetë ekzistenca e tij përfaqson një parti. Çdo demokrat është i mirëpritur! Berisha dhe deputetët e tij në asnjë mënyrë! Ç’dallim ka Berisha nga Rama? Janë një! Protestë edhe kundër qeverisë, edhe kundër opozitës!

Protestuesi: I bëjmë thirrje Arlind Qorit mos të fusë përçarje!

Përfaqësuesja e PD: Hajdeni si qytetarë, jo si përfaqësues partie!

Protestuesja: Ne duam që kauzën tonë mos ta marrë asnjë parti!

Protestuesit thirrje: Jo deputetët!

Ora 13:56
Videolajm/ Protestuesit maskohen si Rama e Balluku: Vetëm Belinda në burg, unë do të iki kur të ma ketë qejfi!

 

Protestuesit ashtu edhe si në ditët e kaluara kanë zgjedhur të maskohen.

Një prej protestuesve ka zgjedhur të maskohet si Belinda Balluku, ndërkohë një protestues tjetër ka vendosur një maskë me fytyrën e kryeministrit Edi Rama. Së bashku me një tjetër të maskuar ata kanë pozuar para kordonit të policisë te Ministria e Arsimit. 

Më pas, protestuesit janë shtirur si kryeministri dhe deputetja duke improvizuar një dialog.

‘Rama’: Mos thoni Rama në burg, vetëm Belinda në burg!

‘Belinda’: Po ika unë, e marr me vete!

‘Rama’: Vetëm Belinda në burg! Shikoni, në nëntor e kemi parashikuar për Belindën, në dhjetor Taulant Ballën.

-Po ti kur do të ikësh?

‘Rama’: Unë e kam thënë, vetëm kur të ma ketë qejfi im do të iki!

Ora 13:41
VIDEOLAJM/ Berisha mungon në protestë, publikon Sali Lushajn dhe militantët e tij si studentë

Sali Berisha ka publikuar një video të militantëve të Partisë Demokratike që marshojnë nëpër bulevard, me dy gishta lart duke thirrur “Dorëheqje!”

Por ironia është diçitura e përdorur. “Me studentët”, shkruan Berisha krah videos, ku në fakt ‘studentët’ s’kanë aspak moshë të re dhe kryesohen nga Sali Lushaj.

Kujtojmë që Berisha nuk ka marrë pjesë as në këtë protestë.

Ora 13:36
Bashkohen dy protestat, të rinjtë krijojnë kordon për të penguar demokratët! Thirrjet 'Berisha në burg' tensionojnë mbështetësit e PD-së (VIDEO)

 

Bashkohen dy protestat në Tiranë, por jo protestuesit. Mbështetësit e Sali Berishës marshuan nga Kryeministria në drejtim të Ministrisë së Arsimit, por të rinjtë krijuan një kordon para tyre, duke mos i lejuar të afrohen më shumë. Thirrjet “Berisha në burg” tensionuan mbështetësit demokratë.

Një grup demokratësh arritën të çajnë kordonin dhe të afrohen pranë Ministrisë së Arsimit, ndërkohë që të rinjtë vijojnë të pengojnë afrimin e mbështetësve të tjerë të PD-së. Protestuesit e rinj nuk ndalën as thirrjet “Opozitë e shitur”.

Ora 13:27
Berisha mungon, deputetët demokratë marshojnë drejt Ministrisë së Arsimit! Noka sulmon 'Flamingot' dhe Arlind Qorin (VIDEO)

Sali Berisha mungoi në protestën e dytë kombëtare. Ai ka dërguar vetëm deputetët demokratë, të cilët pasi qëndruan para Kryeministrisë, ku në emër të PD-së mbajti një fjalim Flamur Noka, marshuan drejt Ministrisë së Arsimit për t’iu bashkuar grupit të protestuesve të tjerë, ku nuk mungojnë as ata me maska. Noka sulmoi “Flamingot” dhe grupin e Arlind Qorrit.

“Koha tregoi se disa nga emrat u blenë si derrat dhe e katandisën protestën e flamingove në shërbim të Edi Ramës. Pa Qorin dhe 50 komunistë të tij, Edi Rama nuk do të kishte asnjë mundësi të artikulonte ANTIFA-n. Shqipëria nuk ka ANTIFA. Por komunistët e Qorit dhe me luftë kundër opozitës i bënë shërbimin më të mirë Edi Ramës. Shqiptarët kanë të drejtën të votojnë kë të duan. A e mbani mend protestën e studentëve në 2018-ën? A ishte Qori që u fut ‘Kal Troje’ me marksistët e tij në protestë? Ne e kemi detyrë të jemi këtu për të vërtetën”, tha Noka.

Ora 13:20
Protesta te Ministria e Arsimit, një pjesë e protestuesve të maskuar! Njëri prej tyre maskohet si Rama (VIDEO)

 

Një grup protestuesish janë mbledhur këtë të shtunë para Ministrisë së Arsimit.

Ashtu si herët e kaluara një pjesë e protestuesve kanë zgjedhur të jenë të maskuar.

Njëri prej tyre ka vendosur të maskohet si Kryeministri Edi Rama.

Ora 13:14
Protesta te Ministria e Arsimit/ Protestuesit e vegjël të maskuar ulen në rrugë para efektivëve (VIDEO)

 

Dy protestues të vegjël të maskuar janë ulur te vizat e bardha në rrugën te Ministria e Arsimit, ndërsa para tyre qëndrojnë efektivët.

Krah fëmijëve ndodhet edhe një protestues me veshje popullore dhe flamurin kombëtar në dorë.

Ora 13:08
Protesta kombëtare e PD, një grup militantësh para kryeministrisë (PAMJET ME DRON)

 

Partia Demokratike thirri sot një protestë kombëtare, para Kryeministrisë.

Report Tv sjell pamjet me dron (ora 13:00) nga Bulevardi Dëshmorët e Kombit, ku shihen vetëm një grup militantësh.

Edhe pse ishte vetë që thirri protestën, kreu i PD Sali Berisha nuk është i pranishëm.

Ora 13:06
Thirri protestën e PD, asnjë shenjë e Berishës para kryeministrisë! Dërgon Nokën, Bardhin dhe deputetë të tjerë

Kupola drejtuese dhe eksponentë të Partisë Demokratike janë bërë pjesë të protestës që kanë thirrur para kryeministrisë.

Mes tyre shihen Flamur Noka, Gazment Bardhi, Agron Gjekmarkaj, si dhe pjesëtarë të Partisë së Lirisë si Erisa Xhixho, Tedi Blushi. Më herët u shfaq edhe Belind Këlliçi.

Kreu i PD, Sali Berisha, ashtu si dhe të shtunën e kaluar të protestës kombëtare që thirri, mungon sot. Megjithatë, PD ka shprehur vazhdimisht mbështetje për protestën dhe më vonë pritet t’i bashkohet protestuesve të grumbulluar te Ministria e Arsimit.

Ora 12:50
Protesta te Ministria e Arsimit, polici ndihmon të moshuarën dhe bisedon me të (VIDEO)

 

Ndërsa në bulevard deputetët e Partisë Demokratike përplasen me policinë, te Ministria e Arsimit pamja është plotësisht e ndryshme.

Protestuesit deri më tani nuk kanë kryer asnjë sulm, ndërsa një polic shihet duke mbajtur për krahu një zonjë të moshuar ndërsa bisedon me të.

Ora 12:45
‘Hiqe dorën, plehrë!’ Këlliçi e Blushi përplasen me policët: Po pengoni lëvizjen e njerëzve (VIDEO)

 

Deputetët Belind Këlliçi e Tedi Blushi janë përplasur me policinë në bulevard duke akuzuar se nuk lejojnë kalimin e qytetarëve. Në një moment, Blushi përpiqet të shtyjë policët, të cilët nuk e lejojnë të vazhdojë përpara.

Policia: Ikni mbrapa!

Qytetari: Hap rrugën aty se do të iki në shtëpinë time!

Policia: Kemi një urdhër.

Tedi Blushi: Ça urdhri?

-Është deputet, mos e prek me dorë! nuk ke të drejtë ta prekësh me dorë!

Edhe mes Këlliçit e policëve ka një përplasje ku deputeti edhe fyen efektivët. Këta të fundit i thonë se ka një perimetër sigurie i cili pengon lëvizjen.

Belind Këlliçi: Hiqe dorën! Plehrë!

Policia: Prit pak!

Belind Këlliçi: Për çfarë i pengon njerëzit? Ça problemi ka, pse pengohen njerëzit?

Policia: Është perimetri i sigurisë.

Qytetari: Nga kush siguroheni? Nga kush keni frikë?

Belind Këlliçi: Dua të kaloj bashkë me zotërinë që është në biçikletë, në rrugë të vet.

Sa e vlerësoni këtë artikull?
★ ★ ★ ★ ★
4.0 / 5 (4 vlerësime)

Komente

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës: 29 Tetor, 18:29

    A besoni se TVSH-ja 6 përqind për ushqimet do të reflektohet si duhet në uljen e çmimeve?