Dy biznese u sulmuan me tritol në një diferencë kohore vetëm 10 minuta nga njëri-tjetri në qytetin e Shkodrës, duke shkaktuar fatmirësisht vetëm dëme materiale.  Shpërthimi i parë është dëgjuar rreth orës 02:20, në rrugën pranë Stadiumit "Loro Borici", pranë një supermarketi, ndërkohë që në 02:30 ndodhi shpërthimi i dytë, më i fuqishëm në pedonalen e qytetit në një dyqan veshjesh.

Ndërsa për tritolin në supermarket, me pronar Flori Markun, policia deri më tani nuk ka asnjë të dyshuar apo motiv, për ngjarjen e dytë, hetimet natyrshëm shkojnë drejt ish-kandidatit të PD-së për kryetar të Bashkisë së Shkodrës, Xhemal Bushati.

Dyqani që shpërtheu është në pronësi të tij dhe i lëshuar aktualisht me qira, ndërsa në katin e tretë të së njëjtës godinë, Bushati jeton me familjen.

Në orët e para të mëngjesit ai ishte prezent në godinën që ndodhet përballë Prefekturës, por nuk pranoi të prononcohet në media.

Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se një person i veshur sportiv është afruar pranë godinës tre, ka vendosur tritolin ne portën hyrëse, dhe është larguar me vrap në drejtim të sheshit.

Nuk dihet ende nëse dy shpërthimet kanë lidhje me njeri-tjetrin, ndërsa policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë jo vetëm në pedonalen e Shkodrës por edhe në perimetrin ku janë dëgjuar shpërthimet për të bërë edhe lidhjen e mundshme nëse autorët janë të njëjtë apo ngjarjet janë tërësisht të ndara njëra me tjetrën.  Policia e Shkodrës ka marrë në pyetje, administratorin e marketit ushqimor si dhe Xhemal Bushatin. Të 2 kanë deklaruar se nuk kanë konflikte të mëparshme.

Ndërsa hetimet vijojnë, për Partinë Demokratike, sulmi ishte ndaj Bushatit. 

"Kush mendon se mund të përkulë demokratët me sulme direkte ose indirekte, i ka bërë llogaritë gabim!", thuhet në një reagim të PD-së.

Xhemal Bushati, kandidat i Lulzim Bashës, garoi në zgjedhjet e 6 Marsit përballë Bardh Spahisë së Sali Berishës. Në një reagim si kryebashkiak, Spahia nuk flet për motive politike, por i bën thirrje Policisë dhe Prokurorinë, të zbardhin në mënyrë urgjente këto ngjarje kriminale, që siç shkruan ai, “nuk janë të Shkodrës, por të krimit që ka marrë peng qeverinë!"

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 08:28
VIDEO/ I vunë tritolin biznesit që ndodhej në godinën në pronësi të tij, momenti ku ish kandidati i PD për kryetar bashkie Xhemal Bushati shikon dëmet e shkaktuara

Dyqani LC Waikiki që iu vu tritoli gjatë natës në Shkodër, ndodhej në katin e parë të godinës që është në pronësi të ish kandidatit të PD për kryetar bashkie, Xhemal Bushati. Ai jeton në katin e 3 në po të njëjtën godinë ku ndodhej dhe biznesi, ambienti i të cilit ishte dhenë me qira. Mëngjesin e sotëm Bushati është filmuar duke parë dëmet materiale që i janë shkaktuar godinës.