Dy studime të reja për pandeminë ofrojnë pamje të zymtë

Dy studime të reja për pandeminë ofrojnë pamje të zymtë

UASHINGTON - Dy studime të ndryshme të pandemisë COVID-19 japin një analizë të zymtë.

Njëri studim thotë se numri i viktimave i pranuar gjerësisht në 5 milionë, është ndoshta më i lartë, dhe se kjo shifër është arritur që në 1 nëntor kur njoftoi shifrat e saj Qendra për Koronavirusin e Universitetit Johns Hopkins. Studimi tjetër jep një analizë të hidhur statistikore të pandemisë, ndër të tjera edhe faktin se 50 milionë njerëz po infektohen me virusin çdo 90 ditë.

Agjencia e lajmeve Reuters e shtrin analizën e saj në perspektivë duke rikujtuar se u desh rreth një vit për të regjistruar 50 milionë rastet e para me COVID-19. Niveli i lartë i tanishëm është për shkak të variantit delta që ka transmetueshmëri të lartë, thotë Reuters.

Numri i rasteve të të infektuarve në Rusi, Ukrainë dhe Greqi është "pothuajse në nivelin rekord të rasteve të raportuara që kur filloi pandemia dy vite më parë", thotë Reuters, me infektimet e reja që vazhdojnë të rriten në 55 nga 240 vende të botës.

Të hënën, Gjermania raportoi numrin më të madh ditor që nga fillimi i pandemisë. Instituti Robert Koch raportoi 201.1 raste të reja për 100 mijë njerëz gjatë shtatë ditëve të fundit, duke thyer rekordin e mëparshëm prej 197.6 për 100 mijë. Agjencia franceze e lajmeve AFP raporton se shkalla e COVID-it në shtetin gjerman lindor Saksoni është më shumë se dyfishi i normës kombëtare, në 491.3.

Hetimi i agjencisë së lajmeve Reuters përpiloi gjithashtu statistikat për pabarazinë e vaksinimit, ku ndër të tjera duket se më shumë se gjysma e popullsisë së botës nuk ka marrë asnjë vaksinë të vetme ndaj COVID-19-ës dhe më pak se 5% e popullsisë në vendet me të ardhura të ulëta ka marrë vetëm një dozë të vaksinës.

Numri i të vdekurve në disa vende mund të jetë shumë herë më i lartë se raportet zyrtare të qeverisë, sipas revistës "The Economist". Revista thotë se ka disa arsye për shifrat më të vogla të raportuara. Disa vende nuk përfshijnë në numrin e vdekjeve nga COVID-19 personat që nuk rezultuan pozitivë për COVID-19-ën para se të vdisnin. Gjithashtu, spitalet dhe qeverisja vendore jo gjithmonë i përpunojnë menjëherë çertifikatat e vdekjes. Përveç kësaj, njerëzit që vdesin në shtëpi mund të mos përfshihen në numrin e viktimave nga COVID-19.

Këshilli i një qyteti në veri të Kalifornisë e ka deklaruar veten "republikë kushtetuese", si një mënyrë për të shprehur pakënaqësinë e tij me atë që e konsideron tejkalim të autoritetit shtetëror dhe federal në lëshimin e urdhëresave, si p.sh. për mbajtjen e maskave për të luftuar pandeminë e koronavirusit.

Megjithatë, ekspertët ligjorë thonë se vendimi i këshillit të qytetit Oroville nuk i lejon këtij qyteti të shmangë urdhëresat.

Të vaksinuarit plotësisht në shtetin e Uellsit të Ri Jugor, në Australi, po shijojnë heqjen e një numri kufizimesh për koronavirusin të hënën, përfshirë eliminimin e kufizimeve ndaj numrit të vizitorëve në shtëpi.

Punonjësit e shëndetësisë në Indi po përgatiten për një rritje të rasteve të koronavirusit pas Diwalit, festivali vjetor i dritave, që filloi të enjten.

Dr. Prakash Singh, një virolog, i tha gazetës "The New York Times" se, "për këtë Diwali, njerëzit pothuajse harruan se virusi është ende këtu dhe po vret njerëz"./VOA/

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave