TIRANE-Nga zjarri i para pak ditëve në ashensorin e një pallati në zonën e Freskut në Tiranë janë shkaktuar dy viktima. Drilona Duriçi, 30-vjeçarja që humbi jetën pasi mbeti e bllokuar në ashensor dyshohet se priste një fëmijë.

Burime nga Mjekësia Ligjore konfirmojnë për Report TV se Drilona Duriçi mund të ishte shtatëznë, por pritet një analizë e dytë. Ajo humbi jetën ditën e premte, pasi në kolonën e ashensorit ra zjarr. Dyshohet se zjarri ka ardhur për shkak të një defekti në këtë kolonë dhe më pas flakët janë përhapur edhe në brendësi të ashensorit.

Pavarësisht ndihmës që ofruan banorët e tjerë të pallatit, dera e ashensorit nuk u hap, duke shkaktuar vdekjen e Drilona Duriçit dhe foshnjës së saj. Banorët e pallatit thanë për Report TV se hodhën kova me ujë për të ndaluar zjarri dhe përdorën leva për të hapur ashensorin, por nuk kanë mundur të shpëtonin 30-vjeçaren.

Ditën e tragjedisë Drilona Duriçi ishte hera e dytë që e përdorte ashensorit. Fillimisht ajo ka çuar djalin e saj 5-vjeç në shkollën që ndodhet pranë pallatit dhe më pas është ngjitur përsëri në banesë. Më pas rreth orës 9:50 ajo ka marrë përsëri ashensorin, por në këtë rast në kabinë ka rënë zjarr duke shkaktuar dy viktima.

Nga hetimet ka rezultuar se ashensori nuk plotësonte kushtet teknike dhe sipas Inspektoratit Shtetërore Teknik ky ashensor prej vitesh nuk ishte kontrolluar.

Ashensori ku humbi jetën 30-vjeçarja u bllokua në katin e tretë dhe dalja emergjence nuk ka funksionuar, duke bërë që dera të qëndrojë e bllokuar. Trupi i nënës është nxjerrë pasi zjarrfikësit kanë çmontuar derën e ashensorit.

Në pallatin ku morri zjarr ashensori nuk kishte administrator. Një person që ishte caktuar nga vetë banorë e kishte braktisur punën prej disa kohësh, pasi këta të fundit nuk e paguanin për mirëmbajtjen që bënte.

(d.b/Shqiptarja.com)