Deputetët dhe ministrat janë përfituesit e mëdhenj nga ligji I ri I pagave që u miratua të enjten në Kuvendin e Shqipërisë. Deputetët përfituan rritje 98% të pagës, nga 156 mijë lekë që paguhenin deri më tani, do të përfitojnë 310 mijë lekë. Rritje me 72% pësoi edhe kryeministri, ndërsa Presidenti me 65%. Kreu i shtetit përfiton një rritje të pagës, nga 257 mijë lekë në 425 mijë lekë të reja. Kryeministri dhe kryetarja e Kuvendit, të cilëve paga u shkon nga 228 mijë lekë, në rreth 393 mijë lekë të reja.

Përfitues janë edhe ministrat të cilëve ligji i ri u dyfishon pagat, nga 174 mijë e 760 lekë në 318 mijë lekë të reja.  Paketa e miratuar sjell rritje edhe për drejtuesit e disa institucioneve, si komisioni i shërbimit civil, Autoriteti i Konkurrencës, AKEP-i, Enti Rregullator i Ujiit, AMA, Komisioneri për të Drejtën e Informimit, ai për mbrojtjen nga diskriminimi, etj, ku niveli I pagave vendoset në 255 mijë lekë të reja, nga 115 mijë lekë që ka qenë deri tani. Edhe për punonjësit e tjerë të administratës fillon një rritje e përgjithshme nga 10 – 35 mijë lekë.

Qytetarët të pyetur nga “Report tv” për rritjen e pagës që përfitojnë deputetët, nuk kanë nguruar të ironizojnë.

"Rritje shumë e madhe në krahasim me nivelin e rrogave që është në Shqipëri, deputetë marrin një rrogë shumë të madhe. Nuk e meritojnë, sepse shkojnë aty dhe tallen me popullin edhe në fund fusin lekët në xhep edhe ikin.

Nuk kanë arsye pse me ua rrit rrogën aq shumë.

3 mln e 100 mijë kanë rrogën, edhe një dy biznese i kanë, 5 mln. Kurse na marrim nga 150 mijë lekë (të vjetra).

Populli nuk ka gjë se vuan.

Të dy krahët hajdutë janë, kaq di unë", shprehen qytetarët.

Ligji i ri është pjesë e strategjisë së qeverisë për të rritur pagën mesatare në vend nga 530 euro në 930 euro dhe përfitues të parë ka 130 000 punonjësit e administratës. Strategjia parasheh dy faza, e para 1 prill 2023, e cila mori jetë me votimin në kuvend, ndërsa faza e dytë pritet të zbatohet në prillin e vitit 2024.