Sikurse kishte premtuar qeveria ka miratuar vendimin përmes të cilit do t’u kompensojë bizneseve koston që u shtohet në pagesën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, me rritjen e pagës minimale nga 40 në 50 mijë lekë.

“Kompensimi financiar llogaritet dhe jepet bazuar në numrin maksimal të të punësuarve me fashën e pagës bruto, nga 40 000 (dyzet mijë) lekë deri në 49 999 (dyzet e nëntë mijë e nëntëqind e nëntëdhjetë e nëntë) lekë, që figurojnë në listëpagesën e deklaruar në organet tatimore për muajin shtator 2025, për përditësimin më të fundit të bërë gjatë vitit 2025.”, thuhet në vendim. 

Kompesimi do të bëhet për 9 muajt e parë të 2026, pra që nga janari kur hyri në fuqi rritja e pagës minimale e deri në shtator.

"Kompensimi financiar për subjektet jepet çdo muaj, për periudhën kontributive janar–shtator 2026, nga Drejtoria Rajonale e Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive ku kanë adresën e vendit,  në të cilin zhvillohet pjesa kryesore e veprimtarisë tregtare. Efekti financiar për periudhën janar – shtator 2026 përballohet nga buxheti i shtetit", thuhet në vendim. 

Zbatimi i dhënies së kompensimit pas rritjes së pagës minimale, për një periudhë 9 mujore fillimisht është lajmëruar nga kryeministri Edi Rama në dëgjesat e zhvilluara me qytetarët para miratimit të projektbuxhetit 2026, si një masë për të mos rënduar sektorin privat.

Paga minimale 500 euro hyri në fuqi në janar, vendim prej të cilit përfitojnë rreth 307,8 mijë punonjës. Deri në fund të mandatit qeveria parashikon që paga minimale në shkallë vendi të arrijë 700 euro.

Subjektet me të drejtë aplikimi duhet të plotësojnë kriteret, si më poshtë vijon:
a) Të mos kenë një punonjës në total të regjistruar në listëpagesë;
b) Të mos jenë subjekte në pronësi shtetërore apo ente publike;
c) Të mos jenë subjekte të regjistruara në statusin e sigurimeve si:
i. i vetëpunësuar (i vetëm);
ii. i vetëpunësuar me punëmarrës dhe punonjës të papaguar të familjes;
iii. i vetëpunësuar pa punëmarrës dhe punonjës të papaguar të familjes.
ç) Të mos kenë detyrime (principal) ndaj organeve tatimore për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në momentin e aplikimit.
-Subjektet aplikojnë në mënyrë elektronike nëpërmjet portalit “e-Albania” për periudhën që kërkojnë kompensim, duke filluar nga data 1 prill 2026 deri më 31 tetor 2026.