Në betejën për paga dhe siguri, drejtësia rrezikon të harrojë një detyrim më të madh: atë ndaj Shqipërisë si shtet ligjor.
Ka një moment në jetën e çdo shteti kur duhet të zgjedhë nëse institucionet e tij janë shërbëtorë të ligjit apo sindikata të privilegjeve. Shqipëria po i afrohet rrezikshëm këtij momenti.
Nga njëra anë, shoqatat e gjyqtarëve kërkojnë rritje të konsiderueshme pagash përmes gjykatave. Nga ana tjetër, disa prokurorëve të SPAK-ut u janë shtuar masat e sigurisë pa asnjë shpjegim publik për arsyet e rrezikut. Dy çështje të ndryshme, por me të njëjtin efekt: krijojnë përshtypjen se institucionet po veprojnë si trupa të veçanta, jo si pjesë e së njëjtës arkitekturë shtetërore.
Në çështjen e pagave, kryeministri Rama ka të drejtë në rezistencën e tij. Jo sepse gjyqtarët nuk meritojnë paga të mira, por sepse precedenti është më i rrezikshëm se shifra. Nëse një trupë gjyqësore arrin të vendosë vetë rrogat e veta përmes vendimeve gjyqësore, atëherë parimi i ndarjes së pushteteve pushon së ekzistuari. Gjykata bëhet njëkohësisht palë dhe arbitër. Kjo nuk është pavarësi. Është konflikt interesi i kthyer në sistem.
Në asnjë demokraci funksionale politika e pagave nuk caktohet nga gjykatat. Ajo caktohet nga parlamenti, sepse parlamenti mban përgjegjësinë për buxhetin. Kush përpiqet ta anashkalojë këtë rrugë, nuk po mbron drejtësinë; po minon rendin kushtetues.
Po aq problematike është mënyra si po trajtohet çështja e sigurisë së prokurorëve. Rritja e masave të sigurisë për ata që hetojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin e lartë është, në vetvete, e justifikueshme. Problemi nuk është mbrojtja. Problemi është heshtja.
Në këtë rast, një nga prokurorët për të cilët është shtuar mbrojtja është edhe Dritan Prençi, i cili trajton çështjen ndaj zv.kryeministres Belinda Balluku. Dhe pikërisht këtu lind rreziku më i madh narrativ. Në një vend që monitorohet në mikrodetaje nga Bashkimi Europian dhe nga partnerët amerikanë, ka shumë pak gjasa reale që një ministre në detyrë të ketë kërcënuar drejtpërdrejt një prokuror. Shqipëria nuk është Venezuelë dhe as Bjellorusi. Dhe nuk duhet të lejojë të duket si e tillë.
Megjithatë, kur shtohen masat e sigurisë pa asnjë shpjegim institucional minimal, krijohet një mesazh i nënkuptuar: se rreziku vjen nga pushteti. Edhe nëse kjo nuk është e vërtetë, mungesa e fjalës e bën të besueshme. Dhe kjo nuk është problem për një ministre, për një prokuror apo për një qeveri. Është problem për imazhin e Shqipërisë si shtet ligjor.
Një vend që synon integrimin europian dhe kërkon investime serioze nuk mund të përballojë idenë se prokurorët kanë nevojë për mbrojtje nga politika. Kjo nuk tregon forcë institucionale. Tregon një shtet ku pushtetet duken si kampe armiqësore, jo si pjesë e së njëjtës renditje kushtetuese.
Në këtë klimë, drejtësia shqiptare rrezikon të shfaqet herë si trupë që kërkon privilegj financiar, herë si trupë që kërkon simpati politike përmes rolit të viktimës. Në të dyja rastet, humbet ajo që i duhet më shumë: autoriteti moral.
Reforma në drejtësi nuk u bë për të krijuar një kastë më të pasur, por për të krijuar një drejtësi më të besueshme. SPAK-u nuk u krijua për të qenë hero mediatik, por institucion normal: që heton pa zhurmë dhe mbrohet pa teatër. Dhe gjyqtarët nuk u paguan më shumë për t’u bërë elitë ekonomike, por për t’u bërë të pakorruptueshëm.
Nëse gjyqtarët duan rroga më të larta, le t’i kërkojnë në parlament. Nëse prokurorët janë realisht të kërcënuar, institucionet duhet ta thonë këtë me një fjali të ftohtë: se ekziston një rrezik i vlerësuar dhe po merren masa. As më shumë, as më pak.
Sepse në fund, pyetja nuk është sa fitojnë gjyqtarët dhe sa policë ruajnë prokurorët. Pyetja është kjo:
a po sillemi si shtet, apo si grupe interesi me stemë institucionale?
Nëse lejohet që gjyqtarët të vendosin për rrogat e tyre dhe që prokurorët të lënë të nënkuptohet rrezik politik pa asnjë fjalë, atëherë Shqipëria nuk po ndërton shtet ligjor. Po ndërton një republikë institucionesh që mbrojnë veten dhe jo rendin kushtetues.
Ky është testi i vërtetë sot. Dhe është test për të gjithë: për drejtësinë, për qeverinë dhe për opinionin publik. Sepse në këtë histori, pala që humbet nuk është Rama, as SPAK-u, as gjyqtarët. Është Shqipëria.
*Albatros Rexhaj është autor, dramaturg dhe analist, me formim në studime të sigurisë kombëtare dhe gati tri dekada përvojë në çështje politike dhe të sigurisë.
Komente











