Dyfishimi i çmimeve nga klinikat dentare (Lexo këtu), ka sjellë reagimin e Autoritetit të Konkurrencës. Në një deklaratë të shpërndarë për mediat, ky autoritet thekson se "ka marrë dijeni në lidhje me njoftimin e bërë publik nga Asambleja Kombëtare e Urdhrit të Stomatologut për përcaktimin e listës së çmimeve dysheme për shërbimet në klinikat dentare miratuar nga Asambleja Kombëtare dhe Këshilli Kombëtar". Autoriteti i Konkurrencës sqaron se do shprehet me një vendim nëse ky akt bie ndesh me ligjin, ndërsa paralajmëron se do të merren edhe masa.
"Sipas listës së publikuar, Urdhri i Stomatologut ka vendosur çmime dysheme për një kategori të caktuar shërbimesh dentare për: Terapinë, Ortopedinë, Kirurgjinë dhe Ortodoncinë. Autoriteti i Konkurrencës, i cili ka si mision mbrojtjen e konkurrencës së lirë dhe efektive në treg, në bazë të nenit 69 të ligjit nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e Konkurrencës”, i ndryshuar vlerëson shkallën e kufizimit ose të pengimit të konkurrencës të çdo projekt-akti normativ që, në mënyrë të veçantë, ka të bëjë me: a) kufizimet sasiore për hyrjen në treg dhe tregtimin; b) vendosjen e të drejtave ekskluzive ose të të drejtave të veçanta, në zona të caktuara, për ndërmarrje ose për produkte të caktuara; c) imponimin e praktikave të njëjta në çmime dhe kushtet e shitjes. Për sa më sipër Autoriteti i Konkurrencës do të vlerësojë këtë akt normativ dhe do të shprehet me vendimmarrje nga ana e Komisionit të Konkurrencës nëse ky akt bie në kundërshtim ligjin nr. 9121/2003", thuhet në deklaratën e Autoritetit të Konkurrencës.

Komente

