Hipoteza e “një aksidenti” nuk bind një pjesë të madhe të vendeve europiane, veçanërisht ato që janë gjeografikisht më pranë Rusisë. Ministri i Jashtëm i Estonisë, Margus Tsahkna, i thotë Corriere-s: “Moska dëshiron të na vërë në provë, dëshiron të testojë reagimin tonë, me synimin për të mbjellë përçarje mes nesh europianëve”. Ndërsa homologu i tij lituanez, Kęstutis Budrys, duke folur po ashtu për gazetën italiane, shton: “Kremlini po ndërton një fushatë krejtësisht të rreme për të akuzuar Lituaninë dhe vendet e tjera baltike se po ofrojnë bazat ajrore nga ku nisen dronët ukrainas drejt territorit rus. Është qartësisht një përpjekje për të na atribuar përgjegjësi që nuk i kemi dhe për të na nxjerrë në dritë të keqe edhe përballë partnerëve tanë europianë”.

Në thelb, droni rus që goditi një qytet në Rumani do të ishte pjesë e një strategjie më të gjerë, e cila synon edhe të frikësojë opinionin publik, duke ushqyer shtysën – që ekziston tashmë edhe në Itali – për të zbutur mbështetjen ndaj Ukrainës.

Megjithatë, për momentin, Bashkimi Europian po shfaqet i bashkuar. Institucionet e Brukselit dhe 27 shtetet anëtare po punojnë për paketën e 21-të të sanksioneve ekonomike kundër Rusisë. Burime diplomatike europiane vërejnë, jozyrtarisht, se dalja nga skena e kryeministrit hungarez Viktor Orbán po i thjeshton diskutimet brenda Unionit. Është gjerësisht e përhapur bindja se Vladimir Putin ndodhet në vështirësi: dinamika e luftës duket tani më e favorshme për Ukrainën. Por pikërisht për këtë arsye, është e nevojshme të mos u jepet përgjigje provokimeve, të ruhet fronti i bashkuar dhe të vazhdohet ushtrimi i presionit ndaj Rusisë.

Megjithatë, jo gjithçka është e sigurt. Europianët kanë qëndrime të ndryshme lidhur me hyrjen e shpejtë të Ukrainës në Bashkimin Europian. Një pikë themelore që lidh së bashku garancitë e nevojshme të sigurisë që duhet t’i jepen Kievit dhe mundësinë që Europa të ketë një rol, kur të vijë momenti – nëse do të vijë – për të negociuar me Putinin./ Corriere della Serra