TIRANE - Shifra prej 713 milione lekë të rinj e vjedhur nga Thesari i Shtetit mund të jetë më e madhe nga sa u deklarua nga Banka e Shqipërisë. Nisur nga lindja e këtyre  dyshimeve mësohet se prokuroria e Tiranës tashmë ka filluar të përzgjedhë disa ekspertë, për formimin e një grupi që do të ngarkohet për inventarizimin e parave në arkën e Thesarit të Shtetit.
 
Në rrugë jozyrtare Prokuroria deklaroi se po firmosen kërkesat për thirrjen e ekspertëve të pavarur, të cilët do të ribëjnë nga e para ekspertizën në Departamentin e Thesarit. Ky veprim hetimor pritet të kryhet sa më shpejt, për shkak të dyshimeve të forta të prokurorisë se Banka e Shqipërisë në auditin e saj mund të ketë qenë e pasinqertë, atëherë kur deklaroi se janë vjedhur vetëm 713 milionë lekë.
 
Prokuroria dyshon se Bitraj nuk është protagonisti i vetëm dhe kryesor përgjatë vjedhjes dhe ai jo vetëm është ndihmuar nga Mimoza Bruzia dhe nipi i tij Klevis Bejtjaj, por me të kanë bashkëpunuar edhe persona të tjerë që ndodhen nën hetim e për të cilët po grumbullohen prova.
 
Ndërkohë për të ruajtur detajet e hetimit kryeprokurori i Tiranës gjatë ditës së djeshme i është drejtuar me një kërkesë Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, ku i kërkon kreut të këtij komisioni Erion Braçe, që të ndërpresë thirjen për t’i marrë në pyetje anëtarët  Këshillit Mbikqyrës.

*Shkrimi u botua ne Shqiptarja.com (print) ne numrin e se martes (9 Shtator, 2014)
Redaksia Online
(Shqiptarja.com)