Një 42-vjeçar me origjinë shqiptare është shoqëruar nga karabinierët në Bari, pasi partnerja e tij, Ornella Forastefano, 46 vjeçe, humbi jetën në rrethana që po hetohen nga autoritetet italiane. Sipas mediave vendase, ai ishte personi mbi të cilin u përqendruan dyshimet që në orët e para pas ngjarjes.
46-vjeçarja u gjet gjatë natës pranë urgjencës së spitalit në Trebisacce, në provincën e Cosenza-s. Mjekët ndërhynë menjëherë për t'i dhënë ndihmën e parë, por ajo nuk arriti t'u mbijetonte plagëve të rënda.
Sipas hetimeve paraprake, një nga pistat kryesore është se gruaja është rrahur brutalisht dhe më pas është lënë pranë spitalit. Fillimisht karabinierët nisën kërkimet për partnerin e saj, ndërsa paraditen e së dielës ai u lokalizua në portin e Barit ku ishte bërë gati për të ikur nga vendi, dhe më pas u shoqërua në ambientet e karabinierëve, ku po merret në pyetje.
Ornella Forastefano administronte një lokal në qendër të Trebisacces së bashku me dy fëmijët e saj. Sipas mediave italiane, ajo ishte vajza e Antonio Forastefanos, i vrarë në vitin 1999 teksa dilte nga biznesni i tij në Marina di Sibari. Ajo ishte gjithashtu mbesa e Domenico Forastefanos, ndërsa familja është përmendur në të kaluarën në kontekstin e hetimeve për klane të ‘Ndranghetës.
Megjithatë, autoritetet nuk kanë bërë të ditur deri tani ndonjë lidhje mes këtyre rrethanave familjare dhe vdekjes së 46-vjeçares.









Komente
Komento