Një 50-vjeçar nga Shkodra është arrestuar në flagrancë, pasi dyshohet se kishte kultivuar 143 bimë kanabisi në fshatin Vilës, në Vau të Dejës.
Sipas policisë, M. D. u arrestua gjatë kontrolleve në terren në kuadër të operacionit “Territor i Pastër”. Bimët e gjetura u asgjësuan me djegie, ndërsa materialet i kaluan Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i plotë i Policisë
"Vihet në pranga një shtetas, pasi dyshohet se ka kultivuar 143 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa, në fshatin Vilës. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau Dejës, si rezultat i kontrolleve intensive në terren, dhe i informacioneve të siguruara në rrugë operative, në kuadër të operacionit të koduar “Territor i Pastër”, për evidentimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorëve, goditën një rast të kësaj veprimtarie kriminale ku arrestuan në flagrancë shtetasin: M. D., 50 vjeç, e banues në Shkodër. Nga veprimet hetimore të kryera, dyshohet se ky shtetas, ka kultivuar 143 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa, në fshatin Vilës. Bimët e dyshuara narkotike u asgjësuan me anë të djegies. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme"
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë









Komente
Komento