Një plantacion i madh kanabisi i fshehur në një zonë pyjore në Korinth të Greqisë është zbuluar dhe asgjësuar nga policia greke, ndërsa në vendngjarje u gjetën edhe lekë shqiptare, një element që sipas autoriteteve mund të lidhet me personat që punonin aty.

Sipas policisë, plantacioni përmbante 336 fidanë kanabisi, nga të cilët mund të prodhoheshin rreth 168 kilogramë marijuanë me një vlerë që arrin deri në 504 mijë euro në treg.

Gjatë operacionit u gjetën gjithashtu 2.2 kilogramë marijuanë, një çadër kampingu që përdorej nga rojet e plantacionit, rezerva ushqimore dhe pijesh, si edhe mjete bujqësore dhe plehra kimike. Autoritetet thanë se plantacioni ishte i fshehur mirë mes pyllit dhe furnizohej me ujë përmes një sistemi të posaçëm ujitjeje.

Një person është vënë nën akuzë në lidhje me rastin, ndërsa hetimet vazhdojnë për identifikimin e personave të tjerë që dyshohet se kanë qenë të përfshirë.