Një 32-vjeçar është arrestuar në Kuçovë pasi dyshohet se shiste kokainë. Gjatë kontrollit në makinën e tij, policia gjeti 34.8 gramë lëndë narkotike dhe një peshore elektronike, që dyshohet se përdorej për ndarjen e dozave.

I arrestuari me iniciale E. I., është banues në Kuçovë, është dënuar më parë për mashtrim. Sipas policisë, ai dyshohet se shpërndante drogëra të fortë në zonë.

Gjatë operacionit u sekuestruan edhe automjeti dhe dy telefona celularë. Materialet i kaluan Prokurorisë së Beratit për veprime të mëtejshme, ndërsa 32-vjeçari konsiderohet i dyshuar deri në një vendim gjykate.

 

Njoftimi i plotë i policisë 

"DVP Berat/Finalizohet operacioni i koduar “Përfshirja”, për goditjen e një rasti të veprimtarisë kriminale të shitjes së drogave të forta. Arrestohet një 32-vjeçar (shtetas me precedent kriminal) që shiste lëndë narkotike Kokainë, në Kuçovë. Sekuestrohen një sasi e kësaj lënde, 1 peshore elektronike, 1 automjet dhe 2 celularë. Në vijim të punës operative dhe asaj operacionale, për evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, finalizuan operacionin e koduar “Përfshirja”. Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi E. I., 32 vjeç, banues në Kuçovë, i dënuar më parë, për veprën penale "Mashtrimi”, kryer më shumë se një herë. Nga kontrolli në automjetin e tij, u gjetën 34.8 gramë lëndë narkotike Kokainë dhe 1 peshore elektronike. Nga hetimet dyshohet se 32-vjeçari shiste droga të forta, në Kuçovë."