Një 36-vjeçar dhe një 50-vjeçar janë arrestuar në Tiranë për shitje droge.
36-vjeçarit iu gjetën kokainë e kanabis në makinë dhe në shtëpinë e tij. Gjithashtu, në automjet mbante edhe një pistoletë me zara metalikë.
Edhe 50-vjeçarit iu gjetën doza kokaine, të gatshme për shitje. Pamjet e policisë tregojnë edhe kokainën e vendosur brenda kutive të shkrepëseve.
Policia ka sekuestruar drogën, makinat dhe celularët e tyre.
Njoftimi i plotë:
Tiranë/Finalizohet operacioni i koduar “Variety”. Goditen nga Forca “Shigjeta”, 2 raste të tjera shitjes së lëndëve narkotike Kokainë dhe Cannabis Sativa.
Arrestohen në flagrancë 2 shtetas. Njëri prej tyre, gjithashtu lëvizte me armë, pa leje, në automjet.
Sekuestrohen arma (pistoletë, me zara metalikë), sasi dhe doza të lëndëve narkotike, si dhe automjetet dhe celularët e të arrestuarve.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shigjeta”, si rezultat i kontrolleve permanente, të kryera me qëllim identifikimin dhe ndalimin e shtetasve që lëvizin të armatosur ose transportojnë lëndë narkotike, me qëllim shitjen, finalizuan operacionin e koduar “Variety”.
Gjatë operacionit u arrestuan shtetasit R. S., 36 vjeç dhe I. S, 50 vjeç, të dy banues në Tiranë.
-Nga kontrolli fizik, si dhe nga kontrollet në banesë dhe në automjetin që 36-vjeçari drejtonte në rrugën “Njazi Meka”, u gjetën sasi dhe doza të lëndëve të dyshuara narkotike Kokainë dhe Cannabis Sativa. Gjithashtu, në automjet iu gjet 1 armë imituese e armës së zjarrit pistoletë, me zara metalikë.
-Nga kontrolli në automjetin që drejtonte 50-vjeçari, në bulevadin “Zogu i Parë”, u gjet sasi lënde e dyshuar narkotike Kokainë, e ndarë në doza, me qëllim shitjen.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë








Komente
Komento