Një grua që e kishte akuzuar Jay-Z se e kishte përdhunuar kur ishte 13 vjeçe, ka deklaruar zyrtarisht se akuza e saj nuk ishte e vërtetë.

Gruaja, emri i së cilës nuk është publikuar, ngriti një padi në vitin 2024, duke pretenduar se ishte droguar dhe përdhunuar nga Jay-Z dhe Sean “Diddy” Combs, në një festë pas ceremonisë së çmimeve MTV Video Music Awards në vitin 2000.

Të dy reperët i kanë mohuar akuzat dhe ajo e tërhoqi padinë vitin e kaluar. Më pas, Carter ngriti padi ndaj saj dhe avokatëve të saj.

Në një deklaratë të së enjtes në kuadër të kësaj çështjeje, ajo shkroi: “Shawn ‘Jay-Z’ Carter nuk më ka përdhunuar kurrë. Unë nuk e kam takuar dhe as nuk kam folur ndonjëherë me Carter. Carter nuk ka kryer kurrë asnjë veprim të papërshtatshëm ndaj meje.”

Gruaja, e njohur me pseudonimin Jane Doe, tha gjithashtu: “Pretendimet e mia se Carter dhe Combs më përdhunuan ndërsa një tjetër personazh i famshëm po shikonte, janë të rreme. Nuk ka asnjë të vërtetë në asnjë prej pretendimeve të mia kundër Carter. E kuptoj se akuzat e mia të rreme i kanë shkaktuar Carter dhimbje, vuajtje dhe dëme të jashtëzakonshme, të cilat nuk mund të zhbëhen kurrë plotësisht.”

“Trauma” për Jay-Z dhe familjen e tij

Carter i kishte mohuar fort akuzat, duke thënë se ato ishin një “përpjekje për shantazh” dhe duke i përshkruar si “akuza të pabaza, të sajuara dhe tronditëse”.

Kur paditësja e tërhoqi çështjen në shkurt 2025, reperi, i cili është i martuar me këngëtaren Beyoncé, tha: “Trauma që unë, gruaja ime, fëmijët e mi dhe njerëzit e mi të dashur kemi përjetuar nuk mund të shpërfillet kurrë.”

Gruaja, nga Alabama, tani është hequr nga padia e Carter. Ajo tha se nuk kishte marrë para nga reperi apo nga dikush në emër të tij dhe se nuk ishte paguar për të bërë deklaratën e saj të fundit.

Megjithatë, padia e Jay-Z ndaj avokatëve të saj është ende e hapur.

“Pa verifikim të mjaftueshëm”

Duke shpjeguar ngjarjet që çuan në akuzën e saj, gruaja tha se pa një reklamë në Facebook në shtator ose tetor të vitit 2024, ku kërkoheshin persona që mund të kishin pretendime për sulme seksuale ndaj Combs. “Reklama më riktheu kujtimet e përdhunimit kur isha 13 vjeçe,” tha ajo.

Ajo tha se u kontaktua nga një firmë avokatie, por nuk iu dha një draft i padisë që përmbante akuzat e saj dhe nuk e autorizoi atë përpara se të depozitohej në tetor 2024.

Paditësja tha gjithashtu se avokatët që vepronin në emër të saj e depozituan padinë “pa kryer ndonjë hetim të pavarur, verifikim të historikut apo kontrolle të mjaftueshme dhe pa siguruar ndonjë provë mbështetëse për akuzat”.

Edhe Diddy i ka mohuar pretendimet e Jane Doe, të cilat avokati i tij i përshkroi në atë kohë si një nga disa çështje civile “të shtyra përpara nga një avokat më i përqendruar te titujt e mediave sesa te meritat ligjore”.

Në korrik 2025, Combs u shpall fajtor nga një gjykatë penale për akuza të lidhura me prostitucionin, që përfshinin dy ish-të dashurat e tij, dhe aktualisht po vuan një dënim prej katër vitesh burg.