Vendimi i Kushtetueses për 30 qershorin, Meta i drejtohet Bashës dhe Bardhit me gjuhën e Berishës: Stop gënjeshtrave të deputetëve

Vendimi i Kushtetueses për 30 qershorin, Meta i drejtohet Bashës dhe Bardhit me gjuhën e Berishës: Stop gënjeshtrave të deputetëve

Presidenti Ilir Meta

TIRANË- Presidenti Ilir Meta, sot e ka treguar hapur se në këto zgjedhje të 6 marsit është rreshtuar krah Sali Berishës, e për ta kuptuar këtë mjafton për të lexuar mënyrën se ai i drejtohet Lulzim Bashës jo si kreu i PD-së, partisë më të madhe opozitare në vend, por vetëm si deputet. Për Metën, Basha dhe Gazment Bardhi kanë gënjyer në emër të Gjykatës Kushtetuese lidhur me vendimmarrjen e këtyre të fundit për për votimet e 30 qershorit 2019.

Ai i quan gënjeshtra, duke thënë se mashtrojnë lidhur me kompetencat e presidentit, e që sipas tij, kjo bëhet me qëllim që t'i ikin përgjegjësisë për braktisjen e zgjedhjeve. Sipas Bardhit, Gjykata Kushtetuese ka deklaruar se po të ishte paraqitur kërkesë nga Presidenti, atëherë do t’i shpallte antikushtetuese zgjedhjet e 30 qershorit dhe jo moskompetencë, por për Metën kjo nuk është aspak e vërtetë e për këtë jep argumentet e tij.

"Deklarimet e zotit Bardhi janë të tejmbushura me gënjeshtra. Nga njëra anë shihet taktika e përsëritur 5-vjecare për t’i ikur përgjegjësisë që ka lidershipi i Partisë Demokratike për situatën e braktisjes së zgjedhjeve për pushtetin vendor 2019, dhe nga ana tjetër deputeti Bardhi merr përsipër të gënjejë kësaj radhe edhe në emër të Gjykatës Kushtetuese. (...)Gjykata Kushtetuese e shpalli veten jokompetente për të shqyrtuar kushtetutshmërinë e proceseve zgjedhore në tërësinë e tyre. Për qartësinë e të gjithëve, sipas vet Gjykatës Kushtetuese pavarësisht se kush subjekt mund të paraqiste një kërkesë për antikushtetutshmërinë e procesit të votimeve të 30 qershorit 2019, ajo sërish do ta shpallte vehten si jo kompetente për mungesë të juridiksionit kushtetues. Kjo gjithmonë sipas asaj që thotë vet Gjykata", thotë Meta.

 

Gjykatat Kushtetuese i legjitimoi zgjedhjet e 30 qershorit, e  për rrjedhojë Meta thotë se nuk ka opsion tjetër përveçse të respektojë Kushtetutën dhe atë që i thotë vetëm ligji. Prandaj mbi këtë argument, ai thotë se ka dekretuar datën e zgjedhjeve vetëm në 6 Bashkitë pa kryetar dhe jo në të gjithë vendin, siç opozita e ka kërkuar.

"Në mungesë të një vendimi të themeltë nga Gjykata Kushtetuese, dhe pas shpalljes së vetes si jo kompetente prej saj, Presidenti i Republikës i bindet vetëm Kushtetutës së Shqipërisë dhe interesit të qytetarëve shqiptar në ato 6 Bashki që sot janë pa kryetar", shkruan Meta ndër të tjera.

Argumentimi i plotë i presidentit Ilir Meta
Stop gënjeshtrave të deputetëve Lulzim Basha dhe Gazment Bardhi për vendimarrjen e Gjykatës Kushtetuese për votimet e 30 qershorit 2019!
 Çmontimi i gënjeshtrës së parë!

Ditën e djeshme jemi njohur me disa gënjeshtra të përsëritura të deputetit të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi të mbajtura në një emision televiziv, lidhur me zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit 2022, por që kanë lidhje edhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjet e 30 qershorit 2019.  Zoti Bardhi në këtë intervistë ditën e djeshme deklaron se:

“…. Kjo gjykatë nuk i ka legjitimuar zgjedhjet e 30 qershorit. Nuk ka thënë se këto zgjedhje ishin kushtetuese apo të ligjshme. Ka thënë se subjekti që vë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese nuk duhet të ishte shoqata e bashkive, por presidenti i republikës, duke dhënë kështu mundësinë presidentit që ta inicionte procesin në këtë gjykatë. Pra, gjykata nuk i ka hyrë thelbit të çështjes.”

Deputeti Bardhi nuk gënjen kur deklaron se:
- Kjo gjykatë nuk i ka legjitimuar zgjedhjet e 30 qershorit; Nuk ka thënë se këto zgjedhje ishin kushtetuese apo të ligjshme; gjykata nuk i ka hyrë thelbit të çështjes. Këtu ai nuk gënjen. Por deputeti Bardhi, gënjen kur me vetëdije të plotë dhe në mënyrë të përsëritur deklaron se Gjykata Kushtetuese na paska thënë se, “subjekti që vë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese nuk duhet të ishte shoqata e bashkive, por presidenti i republikës, duke dhënë kështu mundësinë presidentit qe ta inicionte procesin në këtë gjykatë”.

E ftojmë zotin Bardhi, që të na e lexojë se në cilin paragraf Gjykata Kushtetuese e paska shkruajtur saktësisht atë që ai deklaron se gjoja po të ishte paraqitur kërkesë nga Presidenti, Gjykata do t’i shpallte antikushtetuese zgjedhjet e 30 qershorit?!.  Mjaft me gënjeshtra!

Deklarimet e zotit Bardhi janë të tejmbushura me gënjeshtra. Nga njera anë shihet taktika e përsëritur 5-vjecare për t’i ikur përgjegjësisë që ka lidershipi i Partisë Demokratike për situatën e braktisjes së zgjedhjeve për pushtetin vendor 2019, dhe nga ana tjetër deputeti Bardhi merr përsipër të gënjejë kësaj radhe edhe në emër të Gjykatës Kushtetuese.

Mjaftojmë ti citojmë zotit Bardhi, tre paragrafë (26, 61, dhe 73) të vet Gjykatës Kushtetuese, që t’ia shplajmë gënjështrat e qëllimshme:

Paragrafi 26.

“Gjykata, referuar objektit të kërkesës në shqyrtim, vëren se kërkuesja (pra shoqata e Bashkive të Shqipërisë) ka ngritur dy kërkime: i pari lidhet me konstatimin si antikushtetues të zgjedhshmërisë/procesit zgjedhor për zgjedhjen e organeve të qeverisjes vendore, të zhvilluar në datën 30.06.2019, për rrjedhojë konstatimin antikushtetues të zgjedhjes së anëtarëve të këtyre organeve; i dyti ka të bëjë me verifikimin e kushtetutshmërisë së veprimtarisë së partisë “Bindja Demokratike” në lidhje me regjistrimin e saj në gjykatë për këto zgjedhje vendore.

Paragrafi 73.
“Për sa më sipër, Gjykata vlerëson se në lidhje me kërkimin e parë të kërkesës në shqyrtim çështja nuk bën pjesë në juridiksionin kushtetues, kurse në lidhje me kërkimin e dytë kërkuesja (pra shoqata e Bashkive) nuk legjitimohet për të vënë në lëvizje gjykimin kushtetue“

Paragrafi 61.
“Për sa më lart, kërkimi për konstatimin antikushtetues të zgjedhshmërisë/procesit zgjedhor të zhvilluar në datën 30.06.2019 për zgjedhjen e organeve të qeverisjes vendore, mbetet jashtë juridiksionit kushtetues, ndaj Gjykata nuk mund të investohet në lidhje me këtë çështje. Gjykata Kushtetuese e shpalli veten jokompetente për të shqyrtuar kushtetutshmërinë e proceseve zgjedhore në tërësinë e tyre. Për qartësinë e të gjithëve, sipas vet Gjykatës Kushtetuese pavarësisht se kush subjekt mund të paraqiste një kërkesë për antikushtetutshmërinë e procesit të votimeve të 30 qershorit 2019, ajo sërish do ta shpallte vehten si jo kompetente për mungesë të juridiksionit kushtetues.

Kjo gjithmonë sipas asaj që thotë vet Gjykata!!! I rikujtojmë deputetëve Basha - Bardhi, që Presidenti i Republikës nuk është as subjekt zgjedhor, as përfaqësues i ndonjë partie garuese në zgjedhje, dhe as hyn në llojin e atyre institucioneve që kanë për detyrë që sa herë ka garë elektorale të ndjekë nëpër gjykata Partitë Politike, apo të mbrojë interesat e ndonjë force politike të caktuar.

Kjo është detyrë e vet forcave politike që pretendojnë se ekzistojnë për të shëndoshur dhe ruajtur demokracinë, dhe që duhet të bëjnë gjithçka për realizimin e një procesi zgjedhor kushtetues, për të ruajtur të pacenuar të drejtat themelore të qytetarëve që ata pretendojnë se përfaqësojnë, ku më themelorja të drejtën për të zgjedhur përmes një procesi votimesh të lirë, të fshehtë, të ndershëm dhe ndërmjet alternativave. Pra kjo ka qenë, është dhe duhet të jetë detyrë primare dhe e Partisë Demokratike si forca kryesore opozitare në vend.

Presidenti i Republikës, ka për detyrë të ushtrojë kompetencat dhe rolin që i jep kushtetuta, ku ndër detyrat kryesore të tij si përfaqësues i unitetit të popullit është të mbikëqyrë funksionimin normal të mekanizmave kushtetues, duke ndërhyrë për eliminimin e mangësive në këtë drejtim. Për këtë Presidenti nxjerr dekrete, që në rastin e zgjedhjeve vendore 2019, askush nuk guxoi t’ia sfidonte këto dekrete përpara ndonjë Gjykate, as përpara Gjykatës Kushtetuese. Në mungesë të një vendimi të themeltë nga Gjykata Kushtetuese, dhe pas shpalljes së vetes si jo kompetente prej saj, Presidenti i Republikës i bindet vetëm Kushtetutës së Shqipërisë dhe interesit të qytetarëve shqiptar në ato 6 Bashki që sot janë pa kryetar.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:57
Bardhi i kërkoi të mos flasë me gjuhën e ‘Foltores’, i përgjigjet Meta: Presidenti po ju favorizon forcat opozitare, dhe jo partinë në pushtet

Presidenti Ilir Meta i është përgjigjur akuzave të sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike, Gazment Bardhit, i cili i kërkoi që mos të flasë me gjuhën e ‘Foltores’, ndërsa shtonte se presidenti nuk e mbajti premtimin për t’i shkuar deri në fund të vërtetës kushtetuese për zgjedhjet lokale të 30 Qershorit 2019. Meta thotë Presidenti i Republikës funksionon sipas Kushtetutës dhe Ligjeve të shtetit në fuqi. Sipas Metës, presidenti favorizoi forcat opozitare dhe jo partinë në pushtet z.Bardhi

‘STOP GËNJESHTRAVE të deputetëve Basha-Bardhi për PRESIDENTIN E REPUBLIKËS! ÇMONTIMI I GËNJESHTRËS SË DYTË!

Lidhur me gënjeshtrat e tjera të deputetit Bardhi, se gjasme, “Dekretimi i beftë i zgjedhjeve nga Presidenti ka patur një qëllim, për të vënë në vështirësi PD”, apo “lidhur me mungesën e konsultimit me forcat politike për caktimin e datës 6 mars 2022 për mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme vendore në 6 Bashki”, bëjmë me dije kujtdo që ka interes, se:

Deputeti Bardhi, e di se, Presidenti i Republikës funksionon sipas Kushtetutës dhe Ligjeve të shtetit në fuqi.

Presidenti i Republikës, nuk mund të dekretojë, apo të mos dekretojë datë zgjedhjesh sipas kapriçove dhe oreksit të forcave politike.

Se kur ato zhvillohen e dikton Kushtetuta dhe Ligji.

Deputeti Bardhi, e di që sipas Kodit Zgjedhor, Ligjit për Vetqeverisjen Vendore, Presidenti i Republikës, dekreton datën e zgjedhjeve të pjesshme vendore vetëm pasi ai njoftohet zyrtarisht nga organet e njohura nga ligji për vakancat e krijuara.

Sipas ligjit këto institucione që kanë për detyrë të njoftojnë Presidentin e Republikës janë; Këshilli i Ministrave dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Presidenti i Republikës, është njoftuar për herë të parë nga këto dy organe (KM dhe KQZ) vetëm në datat 17-18 janar janar 2022, dhe kjo vetëm pasi Presidenti i kërkoi këtyre informacion zyrtar.

E sqarojmë deputetin Bardhi që për zgjedhjet e pjesshme, afati minimal dhe maksimal, brenda të cilave zhvillohen zgjedhjet sipas Kodit Zgjedhor është nga 30-45 ditë, duke nisur nga momenti i njoftimit të vakancës.

I gjithë procesi i njoftimit të Presidentit të Republikës nga Këshilli i Ministrave, KQZ dhe Gjykata Kushtetuese, për vakancat e parakohshme të krijuara në këto 6 Bashki ka përfunduar në datën 20 janar 2022.

Presidenti i Republikës, i konsultuar me KQZ dhe me kërkesë të kësaj të fundit midis dy datave më të mundshme 27 shkurt dhe 6 mars 2022 dekretoi afatin maksimal 45 ditor, pra datën 6 mars 2022 si datën më të përshtatshme të mbajtjes së zgjedhjeve të pjesshme për këto 6 Bashki, pa kryetar.

Kjo pikërisht që, KQZ që ka përgjegjësinë e organizimit të tyre dhe gjithë forcat politike të kenë mundësi të realizojnë një proces dhe fushatë zgjedhore sa më të mirë dhe të përshtatshme.

Presidenti nuk u konsultua me asnjë forcë politike, por realizoi një takim me përfaqësues të shumicës në Kuvendin e Shqipërisë, për të përmbushur detyrimet kushtetuese, lidhur me datën e kërkuar nga KQZ dhe përgjegjësitë që ka Kuvendi në këtë proces.

Zoti Bardhi, duhet ta kuptojë që realizimi i zgjedhjeve në afatin maksimal 45-ditor, pra në datën 6 mars 2022, lehtëson punën e KQZ-së dhe ndihmon më së shumti forcat opozitare garuese, duke i dhënë afatin maksimal të njohur nga ligji.

Nëse Presidenti, do të kishte zgjedhur afatin minimal 30-ditor, për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme, që përkonte me datën 20 shkurt 2022, atëherë kjo do të ishte në shërbim të Partisë në pushtet.

Presidenti favorizoi forcat opozitare dhe jo partinë në pushtet z.Bardhi!’- shkruan Meta.

Ora 16:17
Meta quajti Bashën thjesht deputet, Bardhi: Gjuha e Foltores e padenjë për Presidentin

1640003028_BARDHI1.jpg

Presidenti Ilir Meta e quajti Lulzim Bashën thjesht si një deputet, njësoj si Sali Berisha e përgjigja e PD-së zyrtare nuk ka vonuar. Është Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi i cili thotë se Meta foli me gjuhën e 'Foltores' e ndërsa këmbëngul në argumentin e tij se nuk e mbajti premtimin për t’i shkuar deri në fund të vërtetës kushtetuese për zgjedhjet lokale të 30 Qershorit 2019.

" Një sulm më shumë, një sulm më pak nga Ilir Meta nuk ndryshon asgjë në raport me të vërtetën. Presidenti nuk e mbajti premtimin për t’i shkuar deri në fund të vërtetës kushtetuese për zgjedhjet lokale të 30 Qershorit 2019. Ai nuk iu drejtua Gjykatës Kushtetuese për të provuar se kishte të drejtë për shtyrjen e zgjedhjeve. Gjuha e Foltores nuk mund të jetë kurrë gjuhë e institucionit të Presidentit, pavarësisht halleve të përbashkëta të Ilir Metës, Edi Ramës dhe Sali Berishës. Duke i uruar punë të mbarë Presidentit të Republikës, i sugjeroj lexim të kujdesshëm të vendimit të Gjykatës Kushtetuese", shkruan Bardhi.

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Sali Berisha: Do heqim mesataren për pranimin në universitete! Studentët do marrin 200 euro çdo muaj

Sali Berisha: Do heqim mesataren për pranimin në universitete! Studentët do marrin 200 euro çdo muaj