Tre shtetas shqiptarë dhë një italian kanë rënë në pranga nga policia italiane me akuzën e trafikut të lëndës narkotike kokainë.
Mediat fqinje raportojnë se konkretisht bëhet fjalë për Liman Dana (54 vjeç), djalin e tij Arjan Dana (29 vjeç), nipin Fabian Ismaili (23 vjeç) dhe italianin Alfonso Di Villanova Baldeti (44 vjeç), i cili është pronar i një furre buke në komunën San Miniato në provincën e Empolit.
Arrestimi i katër personave të sipërpërmendur u bë i mundur nga operacioni i koduar “Pane e farina” (Bukë e miell).
Liman Dana merrej me përgatitjen e dozave të kokainës në banesën e tij, ndërsa djali i tij Arjana Dana dhe i nipi, Fabian Ismaili merreshin me shitjen e saj.
Mediat italiane bëjnë me dije se hetimet e operacionit kanë nisur më 2016, fill pas denoncimit të bërë në polici të së dashurës së italianit të arrestuar, Maria Esposito (41 vjeç), e cila ka rrëfyer aktivitetin kriminal të së dashurit të saj pas një grindjeje me të.
Sipas policisë italiane, kokaina e trafikuar i përkiste një cilësie mjaft të pastër dhe dozat e saj varionin nga 10-50 gramë.