Një 42-vjeçare e dënuar për mashtrim është ekstraduar nga Spanja drejt Shqipërisë, në kuadër të bashkëpunimit mes autoriteteve shqiptare dhe atyre ndërkombëtare.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, Marjana Gjona është dënuar në vitin 2019 nga Gjykata e Pogradecit me 7 vjet burg, për veprën penale “Mashtrimi”, me pasoja të rënda. Ajo ishte shpallur në kërkim dhe u ekstradua pas procedurave të finalizuara përmes Interpol.
Ekstradimi nga Spanja i Marjana Gjonës vjen rreth një vit pasi emri i saj u bë publik në media, ku u përmend si një nga 20 gratë më të kërkuara për mashtrim. Ajo u denoncua publikisht nga disa persona për zhvatje parash përmes njohjeve në rrjetet sociale.
Në tetor të vitit 2024, një i ri deklaroi se ajo e kishte mashtruar duke i marrë rreth 14 mijë euro, ndërsa sipas denoncimeve të tjera, shumat e përfituara nga persona të ndryshëm arrinin deri në 20 mijë euro.
Në atë kohë, Gjonaj rezultonte në kërkim ndërkombëtar për disa akuza mashtrimi.
Sot, pas procedurave të bashkëpunimit ndërkombëtar, Gjona është kthyer në atdhe për të vuajtur dënimin për veprën penale të mashtrimit me pasoja të rënda.
Njoftimi i policisë:
Inerpol Tirana/Finalizohen faza të tjera të operacionit ndërkombëtar, të koduar “The Wanted”.
✅Ekstradohet nga Spanja, një shtetase e dënuar me 7 vjet burgim, për mashtrim me pasoja të rënda.
✅Ekstradohet në Gjermani, një shtetas i dënuar me 6 vjet e gjysmë burgim, për trafik të lëndëve narkotike.
Në vijim të bashkëpunimit të konsoliduar ndërmjet specialistëve të Drejtorisë së Interpolit dhe homologëve të tyre në Spanjë dhe në Gjermani, u finalizuan në kuadër të operacionit “The Wanted”, procedurat për ekstradimin:
-nga Spanja, në Shqipëri, të shtetases Marjana Gjona, 42 vjeçe, e cila është dënuar në vitin 2019, nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pogradec, me 7 vjet burgim, për veprën penale “Mashtrimi”, me pasoja të rënda;
-nga Shqipëria, në Gjermani, të shtetasit Metehan Tutuncu, 26 vjeç, i cili është dënuar nga Gjykata e Aschaffenburg, Gjermani, në vitin 2023, me 6 vjet e 6 muaj burgim, për trafikim të lëndëve narkotike
Komente







