Serbia do të mbajë zgjedhje të parakohshme parlamentare në vitin 2026. Lajmi u konfirmua nga Presidenti Aleksander Vuçiç në konferencën e fundivitit të mbajtur në Beograd, duke plotësuar kështu kërkesën kryesore të opozitës dhe të studentëve që prej muajsh kanë gjunjëzuar vendin me protestat e tyre.

“E kemi pranuar kërkesën e tyre kryesore. Vitin e ardhshëm do të shkojmë në zgjedhje parlamentare, por vetëm se nuk do të jenë aq të lumtur kur t’i numërojnë votat. Do të shkojmë në zgjedhje që t’i mposhtim kundërshtarët tanë politikë, që janë pa program e pa ide në çdo qytet të Serbisë", tha ai.

Deklarata e Vuçiç vjen pas nisjes së një nisme nga studentët për mbledhjen e nënshkrimeve në të gjithë Serbinë, me synimin për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme. Kreu i shtetit akuzoi protestuesit dhe organizatorët e bllokadave se kishin synuar të shkaktonin destabilizim, duke e krahasuar situatën me një skenar të tipit “Maidan”, si në Ukrainë.

"U organizuan më shumë se 25,000 tubime të paligjshme. Ata bllokuan trafikun dhe u përpoqën që të kishte viktima. Kjo është arsyeja pse them se ata donin të krijonin një Maidan, duke krijuar kaos. Zgjedhjet nuk fitohen me gënjeshtra, por me punë të vërtetë, duke luftuar për qytetarët e Serbisë, duke luftuar për popullin” tha Vuçiç

Presidenti serb u ndal edhe te zgjedhjet e fundit në Kosovë, duke përgëzuar serbët për guximin dhe premtuar mbështetje më të madhe financiare nga shteti serb. 

“I përgëzoj këta njerëz të guximshëm, që votuan pavarësisht pengesave që ju nxori makineria e Kurtit. Këta janë njerëz të guximshëm, janë heronj të vërtetë dhe besoj se ata meritojnë ndihmë dhe mbështetje shtesë edhe më të madhe nga shteti i Serbisë. Ata e dinë se ne jemi gjithmonë me ta, ashtu siç ne e dimë se ata janë gjithmonë me Serbinë dhe me popullin e tyre”.

Duke folur për opozitën, Vuçiç deklaroi se ajo nuk ka një qëndrim të qartë politik, veçanërisht për çështjen e Kosovës. “Një pjesë e opozitës është për njohjen e Kosovës, tjetra për luftë me Prishtinën. Kur nuk ke ide, plane dhe program, njerëzit e kuptojnë se pasioni kalon,” u shpreh ai.

Vuçiç preku edhe krizën energjetike, duke parashikuar datën 15 janar si afat për gjetjen e një zgjidhjeje për kompaninë energjetike NIS. Ai pranoi se Serbia ndodhet nën presione të forta nga Perëndimi dhe Rusia, por theksoi se vendi do të vazhdojë të ndjekë një politikë neutraliteti.

“Është jashtëzakonisht e vështirë të mbrojmë interesat tona, por ne do ta bëjmë këtë. Serbia do të mbetet neutrale, edhe pse kjo do të thotë që askush nuk na do shumë,” deklaroi presidenti serb.

Gjatë konferencës vjetore, Vuçiç paralajmëroi gjithashtu përmirësimin e mbrojtjes ajrore të vendit. 

“Serbia, sa i përket mbrojtjes ajrore dhe parandalimit të agresorëve të mundshëm, do të jetë ndër më të pajisurat në Evropë. Do të rrisim edhe numrin e ushtarëve. Kushdo që mendon të sulmojë Serbinë, do ta mendojë dy herë. Ushtria jonë është më e fortë se kurrë”, tha Vuçiç.

“Ne kemi dy qëllime për vitin e ardhshëm 2026. I pari është paqja dhe stabiliteti, ndërsa i dyti lidhet me politikën – që ky të jetë viti më i mirë në historinë e Serbisë, para së gjithash në aspektin ekonomik”, përfundoi Vuçiç.