Më 24 janar 2023, Patrick Clancy u largua për pak minuta nga shtëpia e tij në Duxbury të Massachusettsit për të marrë ushqim dhe ilaçe. Kur u kthye, gjeti bashkëshorten, Lindsay, të plagosur rëndë në oborr. Ajo kishte prerë veten dhe ishte hedhur nga dritarja e katit të dytë.
Patrick e pyeti menjëherë për tre fëmijët e tyre. Përgjigjja e saj ishte vetëm: “Janë në bodrum”.
Ai zbriti me vrap dhe gjeti Corën 5-vjeçare, Dawsonin 3-vjeçar dhe Callanin vetëm 8 muajsh, të mbytur me shirita ushtrimesh. Dy fëmijët më të mëdhenj kishin vdekur. Foshnja ishte ende gjallë, por ndërroi jetë në spital tri ditë më vonë.
Vrasjet nuk i kreu një person që kishte hyrë fshehurazi në shtëpi. Lindsay Clancy, nëna e fëmijëve dhe infermiere në profesion, pranoi se i kishte vrarë gjatë 47 minutave që kishte mbetur vetëm me ta. Rënia nga dritarja i dëmtoi shtyllën kurrizore dhe e la të paralizuar. Sot ajo paraqitet në gjykatë në një karrige me rrota.
Tre vjet e gjysmë pas krimit, Lindsay nuk po gjykohet për të zbuluar nëse është autorja. Këtë fakt nuk e kundërshton as mbrojtja. Çështja që ka tronditur dhe ndarë opinionin amerikan është nëse ajo e dinte se çfarë po bënte, apo nëse psikoza pas lindjes ia kishte shkëputur mendjen plotësisht nga realiteti.
Prokuroria: E largoi bashkëshortin për të mbetur vetëm me fëmijët
Sipas prokurorisë, krimi nuk ishte një shpërthim i pakontrolluar i çastit. Lindsay kishte kontrolluar sa kohë duhej për të shkuar në restorantin ku dërgoi Patrick-un dhe dyshohet se zgjodhi qëllimisht një vend më të largët, për të siguruar kohën që i nevojitej.
Pasi mbeti vetëm, i çoi fëmijët në bodrum dhe i mbyti njëri pas tjetrit. Më pas tentoi të vriste veten.
Për akuzën, këto veprime tregojnë një vijimësi vendimesh të menduara: largimin e bashkëshortit, zgjedhjen e vendit dhe të mjetit, vrasjen e tre fëmijëve dhe tentativën për vetëvrasje. Prokurorët pranojnë se ajo vuante nga probleme të shëndetit mendor, por thonë se ishte ende në gjendje të kuptonte krimin dhe të kontrollonte veprimet e saj.
Mbrojtja: Besonte se duke i vrarë, po i shpëtonte
Familja përshkruan një grua që ishte rrëzuar mendërisht pas lindjes së fëmijës së tretë. Lindsay kishte humbur peshë, nuk flinte, ishte bërë paranojake, kishte mendime të përditshme për vetëvrasje dhe kishte kërkuar vazhdimisht ndihmë mjekësore.
Ajo ishte shtruar në një spital psikiatrik dhe gjatë trajtimit i ishin përshkruar më shumë se një duzinë ilaçesh, megjithëse nuk i kishte marrë të gjitha njëkohësisht. Rreth një muaj përpara tragjedisë, i kishte rrëfyer nënës se kishte frikë se mund t’u bënte keq fëmijëve.
Psikiatri i mbrojtjes, Philip Resnick, dëshmoi se në momentin e vrasjeve Lindsay ndodhej në një gjendje psikotike dhe delirante. Ajo pretendon se dëgjoi një zë mashkullor që e urdhëroi t’i vriste fëmijët dhe se, në mendjen e saj të sëmurë, besonte se po i “mbronte”.
Tashmë juria duhet të vendosë mes dy pamjeve të së njëjtës grua: një nënë që e planifikoi vrasjen e tre fëmijëve të saj dhe e largoi bashkëshortin për të vepruar e qetë, ose një paciente e përfshirë nga një psikozë aq e rëndë sa nuk mund të kuptonte më realitetin.
Pas dy ditësh diskutime, juria nuk ka arritur ende një vendim. Nëse shpallet fajtore për vrasje të shkallës së parë, Lindsay Clancy rrezikon burgim të përjetshëm pa mundësi lirimi me kusht. Nëse shpallet e papërgjegjshme penalisht, ajo mund të dërgohet në një institucion psikiatrik.






Komente
Komento