Një grua në Indonezinë qendrore është gjetur e vdekur në barkun e një pitoni, i cili e kishte ngrënë atë, njoftoi sot një zyrtar lokal.

Burri i Faridës, 45 vjeç, dhe banorë të fshatit Kalebang, zbuluan dje trupin e saj brenda një pitoni, i cili ishte rreth pesë metra i gjatë. Nëna e katër fëmijëve ishte zhdukur të enjten mbrëma dhe kërkimet për ta gjetur kishin nisur menjëherë, tha kreu i fshatit Swardi Rossi, shkruajnë mediat e huaja. 

Fshatarët ‘krehën’ zonën dhe së shpejti vunë re “një piton me stomak të madh”, tha Rossi. “Ata vendosën të hapnin stomakun dhe më pas u shfaq koka e gruas”.

Incidente të tilla janë jashtëzakonisht të rralla, por njerëzit kanë vdekur në Indonezi vitet e fundit pasi janë ngrënë nga pitonët. Vitin e kaluar, banorët e rrethit Tinangea në Sulawesi juglindore vranë një piton tetë metrash që kishte mbytur dhe ngrënë një fermer. Në vitin 2018, një grua 54-vjeçare u gjet e vdekur brenda një pitoni shtatë metra të gjatë në Sulawesi juglindor.