TIRANË -  “Hajde se do të luajmë playstation”. Kështu e ka mashtruar 21-vjeçari Nikola Bicja një 13 vjeçar dhe më pas ka abuzuar seksualisht me të. Të dy banojnë në rrugën “Myslym Shyri”, ndërsa Bicja ka ftuar djalin e mitur në banesën e tij për të luajtur “Playstation”.

Duke qenë se 21-vjeçari ka qenë vetëm në shtëpinë e tij ka përfituar nga rasti duke abuzuar seksualisht me të miturin. Sapo djali ka shkuar në shtëpi i ka treguar çdo gjë të ëmës. Denoncimi ndaj abuzuesit në polici është bërë nga prindërit e të miturit.

Pas kësaj, policia bëri të mundur edhe arrestimin e 21-vjeçarit, i cili nuk ka pranuar se ka abuzuar me 13-vjeçarin. Ndërkohë, ndaj këtij të fundit pritet të bëhet edhe ekspertiza mjeko-ligjore. Burime nga policia thanë se ndaj të arrestuarit janë duke u verifikuar telefonatat që ai ka bërë me 13-vjeçarin, si edhe bisedat që ai ka bërë në rrjetin social facebook, pasi i është konstatuar se përdorte edhe një adresë të tillë falso.

Ngjarja
Mëngjesin e së enjtes rreth orës 09:00, Nikola Bicja ka qenë i vetëm në shtëpinë e tij dhe i kërkuar 13-vjeçarit që të shkonte së bashku me të. Ai i ka thënë se do të luanin “Playstation” dhe se kishte disa ditë që kishte marrë edhe disa lojëra të reja.

I mituri ka pranuar të shkojë në banesën e tij. Sipas dëshmisë së të dëmtuarit, Bicja pasi ka ndezur kompjuterin, për një moment është larguar nga dhoma ku ndodhej dhe është kthyer vetëm pak minuta më vonë ku ka kryer edhe aktin e shëmtuar. Burime nga policia bënë me dije se 21-vjeçari e ka kërcënuar të miturin që të mos tregonte në shtëpi asgjë nga ajo që kishte ndodhur.

Denoncimi
I frikësuar për atë që i kishte ndodhur, djali ka shkuar në shtëpi dhe menjëherë i ka treguar nënës së tij për ngjarjen. Mamaja e të dëmtuarit, sapo ka dëgjuar të birin menjëherë ka shkuar në ambientet e Drejtorisë së Policisë në Tiranë së bashku me bashkëshortin e saj dhe kanë denoncuar 21-vjeçarin, Nikola Bicja.

Dëshmitë
I pyetur nga grupi hetimor, i mituri ka treguar me detaje atë se çfarë i kishte ndodhur duke shtuar më tej se Nikola e kishte mashtruar. 

Ai më tha se ishte vetëm në shtëpi dhe më ftoi të shkoja me të e lë luanim me kompjuter pasi kishte marrë disa lojëra të reja. Ai më mashtroi dhe ndodhi ajo që ndodhi”, ka thënë 13 vjeçari në polici.

Po ashtu, ai ka deklaruar se 21-vjeçari e ka kërcënuar që të mos tregonte për atë se çfarë kishte ndodhur. 

“Nikola më tha që të mos tregoja asgjë nga kjo ngjarje, as në familje dhe as shoqërisë sime”, është shprehur ai.

Pas kësaj akuze, mbrëmjen e së enjtes policia arrestoi Nikola Bicjan. Pasi është marrë në pyetje, i arrestuari nuk ka pranuar faktin se ka abuzuar me të miturin duke i cilësuar akuzat e tij si të pa vërteta.  Ndërkohë, burime nga policia bënë me dije se pritet të bëhet edhe ekspertiza mjeko-ligjore për të vërtetuar edhe akuzat që 13-vjeçari ka bërë ndaj abuzuesit të tij.

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 12 Shtator 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)