TIRANË- Drejtori i Përgjithshëm i Top Channel, Ben Blushi është larguar nga drejtimi i këtij televizioni. Lajmi është konfirmuar edhe nga Report Tv dhe bëhet fjalë për një dorëheqje të papritur.

Ndërkohë që lajmin për bashkëpunëtorët ai e ka njoftuar përmes email-i zyrtar të dërguar në llogarinë e gjithsecilit.

“Duke nisur nga sot nuk do jem më në Top Channel. Me bindjen se sot po largohem nga një kompani më e shëndetshme, më e besueshme dhe më e madhe në krahasim më atë që gjeta para katër vitesh, ju uroj të gjithëve punë të mbarë. Ben Blushi”, mësohet të ketë shkruar Blushi në e-mailin zyrtar.

Mësohet se drejtimin e Top Channel do e vazhdojnë trashëgimtarët e themeluesit Dritan Hoxha.

E-maili i Vjollca Hoxhës drejtuar stafit të Top Channel:

Të dashur!

Duke falënderuar z.Blushi për kontributin e tij në Top Channel, rruga jonë e përbashkët vazhdon, në vigjilje të 20 vjetorit të shtëpisë sonë së dytë, drejt 20 viteve të tjera e më shumë, që uroj të jenë po kaq të shkëlqyera, në mos më tepër nga puna e shkëlqyer e secilit prej jush.

Top Channel do të vazhdojë të administrohet nga trashëgimtarët e atij që 20 vite më parë nisi një ëndërr të bukur që ju e mbani gjallë çdo ditë.

Faleminderit,

Vjollca Hoxha

Ben Blushi e mori drejtimin e Top Channel rreth 4 vite më parë, konkretisht më 29 janar të 2018. Blushi ka qenë i angazhuar edhe në politikë, ku ka mbajtur disa poste të rëndësishme nw kohwn kur PS drejtohej nga Fatos Nano.

Ai u emërua fillimisht si zv.Ministër i Punëve të jashtme, post të cilin e mbajti për disa muaj. Në fund të vitit 2000 ai do të emërohej Prefekt i Korçës, e ndërsa deri në fund të mandatit të qeverisë Nano ai mbajti poste ministrore si atë të Arsimit dhe Qeverisjes Vendore dhe Decentralizimit.

Ai ka qenë kryetar i Partisë Libra, të cilën e themeloi në nëntor të 2016, pasi u largua nga radhët e partisë socialiste.