Serbia më 1 shtator ndërpreu lëshimin e dokumentit për hyrje/dalje për shtetasit e Kosovës. Me një dokument të tillë, që është cilësuar si zëvendësim për letërnjoftimin, kosovarët janë pajisur me të hyrë në territorin e Serbisë, tash e 11 vjet. As Kosova nuk do të lëshojë dokumente të tilla për qytetarët e Serbisë. Në Jarinjë dhe Merdarë, qytetarët e të dyja anëve po e kalojnë kufirin pa problem, me dokumentet e tyre personale.
Kalim me letërnjoftime në Jarinjë e Merdarë
Në Jarinjë, Liridon Shala nga Podujeva, që kaloi kufirin për në Serbi me dokumente të Kosovës, tha se edhe kur kanë qenë dokumentet për hyrje/dalje për të nuk ka qenë problem. Por, me heqjen e tyre, ai thotë se po i duket sikur të jetë në Bashkimin Evropian.
“Pa problem kemi kaluar, nuk kemi pasur problem as kur kanë qenë letrat [dokumentet për hyrje/dalje] vetëm se është dashur t’i marrim ato tek autoritet serbe, nuk kemi pasur problem kurrë, asnjë pengesë nuk e kemi pasur. Sot normal që më mirë, sikur të ishte Bashkimi Evropian na u duk, se gati njësoj”, tha ai për REL-in.
Kalimi i kufirit pa dokumente shtesë
Zorani, nga Leshaku në veri të Kosovës, tha se do ta kalojë kufirin me dokumentet e Serbisë dhe se marrëveshjen për heqjen e dokumenteve për hyrje/dalje, e cilësoi si të diçka të mirë.
“Pres një marrëveshje paqeje. Le të lejojmë në paqe së bashku”, tha ai, teksa po kalonte kufirin në Jarinjë.
Dragan Mirosavleviç, profesor në Universitetin e Mitrovicës, që më 1 shtator hyri në Kosovë përmes pikëkalimit në Merdarë, tha për Radion Evropa e Lirë, se në kufi gjithçka shkoi mirë.
Ai nuk komentoi marrëveshjen, duke thënë se nuk shikon shumë lajme.
Nebojsha Llekiq nga Preoc, në Komunën e Prishtinës, tha se marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë për dokumente kryesisht vlen për veriun e Kosovës sepse serbët në jug kanë dokumente të të dyja shteteve.
“Unë i kam të dy letërnjoftimet, kështu që ne nuk kemi ndonjë problem. Krejt kjo marrëveshje më duket se është kryesisht për serbët në veri. Përndryshe, mospranimi i dokumenteve vetëm sa e vështirëson komunikimin e shtetasve, pa marrë parasysh a janë shqiptarë apo serbë”, tha ai për REL-in, teksa hyri në Kosovë nga Serbia përmes pikëkalimit kufitar në Merdarë.
Ekipet e REL-it që po raportojnë nga Merdarja dhe Jarinja, po ashtu kanë kaluar pa problem këto dy pikëkalime kufitare - që lidhin Kosovën dhe Serbisë - me letërnjoftim të Kosovës.
Heqjen e kësaj mase e konfirmoi në orët e para të 1 shtatorit ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, nga pika kufitare në Bërnjak.
“Mund të konfirmoj se e njëjta gjë ka ndodhur edhe [nga pikat kufitare] në Merdare, në Dheun e Bardhë dhe në Muçibabë. Në Jarinjë, ende nuk e kemi ndonjë veturë, e cila ka kaluar, por realisht mund të konkludojmë se autoritetet e Serbisë e kanë ndërprerë lëshimin e fletëve për hyrje/dalje për shtetasit tanë”, tha Sveçla.
“Ky është nje lehtësim i madh për shtetasit tanë, të cilët udhëtojnë për apo nëpër Serbi”, shtoi ai.
Paraprakisht ka qenë e paraparë që edhe Kosova të nisë aplikimin e së njëjtës masë për shtetasit e Serbisë, nga 1 shtatori. Një vendim i tillë është zbatuar shkurtimisht më 1 gusht, por për shkak të rebelimit të disa serbëve në veri të Kosovës dhe me sugjerimin e bashkësisë ndërkombëtare, Qeveria e ka shtyrë për 30 ditë.
Palët, ndërkohë, me ndërmjetësimin e komunitetit ndërkombëtar, kanë arritur marrëveshje për mosaplikimin e këtyre dokumenteve nga asnjëra anë. Nga 1 shtatori në Kosovë pritet të nisë së zbatuari vendimi i Qeverisë për riregjistrimin e makinave me targat që i lëshon Serbia.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, duke mbajtur në duar një letër me targa KS. Këto targa, Serbia ka propozuar që të përdoren nga serbët në Kosovë. Por, Qeveria e Kosovës ka thënë se nuk mund të pranojë targa që kanë status neutral ndaj shtetësisë së Kosovës.
Edhe kjo masë është dashur të nisë nga 1 gushti, por, për të njëjtat arsye, është shtyrë për 30 ditë. Sveçla tha se shpreson se edhe “çështja e kalimit nga targat ilegale të Serbisë në targa të Kosovës” të kalojë pa probleme, sikurse ajo e dokumenteve.
Një ditë para se të hiqte kërkesën për dokumente për hyrje/dalje, Serbia vendosi disa njoftime në vendkalimet me Kosovën, ku thuhej se mundësimi i kalimit të kufirit me dokumente të identifikimit të lëshuara nga Kosova bëhet “për arsye krejtësisht praktike”, që liria e lëvizjes të bëhet më e lehtë, bazuar në Marrëveshjen për lëvizje të lirë.
Këtë marrëveshje, Kosova dhe Serbia e kanë arritur në vitin 2011 në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, por se deri më tash nuk ka gjetur zbatimin e duhur./ REL
Nisja e zbatimit të marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për dokumentat për hyrje-dalje është mirëpritur nga Bashkimi Evropian.
Në bazë të kësaj marrëveshjeje të dyja shtetet janë dakordësuar për të hequr dokumentet shtesë, kur qytetarët të hyjnë në territorin e njëra-tjetrës.
“Ky është hap pozitiv, i cili do të lehtësojë lirinë e lëvizjes dhe një zgjidhje evropiane”, thuhet ndër të tjerash në reagimin e Bashkimit Evropian.
Më 1 shtator ka nisur procesi i riregjistrimit të makinave me targat që lëshohen nga Serbia, me akronime të Kosovës, sikurse KM, PZ e të ngjashme. Prishtina i konsideron ilegale këto targa dhe ka thënë se me procesin e riregjistrimit, qytetarët në veri do të përfitojnë lehtësira të tjera tatimore, që mund të arrijnë vlerën e 5.000 eurove. BE-ja ka kërkuar që Kosova të ofrojë kohë të mjaftueshme për riregjistrim.
Blloku evropian ka thënë se Kosova ka të drejtë t’i japë fund përdorimit të këtyre targave, por nuk ka përmendur targat RKS.
“Qëndrimi i BE-së për çështjen e targave është bërë i qartë në disa raste. Sipas marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut më 2011 dhe 2016 për lirinë e lëvizjes, Kosova ka të drejtë t’i japë fund përdorimit të targave KM. Megjithatë, është me rëndësi që të jepet kohë e mjaftueshme për zbatimin e këtij plani dhe që ai të përgatitet e zbatohet në konsultim të ngushtë me qytetarët për të cilët vlejnë, në përputhje me praktikat e mira evropiane”./REL
Western Balkans all 6 in EU soon !
Përgjigju