Eksperti i IT-së, Besmir Semanaj publikoi të dhënat e Google Trends që tregonin se Ervin Salianji ishte bërë figura e parë brenda PD që ishte kërkuar më shumë në motorin e kërkimit sesa Sali Berisha.
Në një intervistë për Report Tv, ai theksoi se ky trend rritës ka qenë që prej muajit të kaluar, por kulmoi në ditët e fundit, pas lëvizjeve që ndërmori ish deputeti brenda partisë duke nisur një Foltore me demokratët. Sipas tij, këto të dhëna janë të pamanipulueshme dhe në shumë fushata i marrin si referencë për të kuptuar qasjen e qytetarëve.
“Trendi rritës është që muajin e kaluar, por kuptohet që me takimin e Durrësit kemi rritje galopante. Për herë të parë themi se një nga figurat e PD arrin të kalojë liderin historik Sali Berisha. Në një farë mënyre tregon interesin e qytetarëve për figura të reja, se çfarë kanë për të thënë ato që ishin më të votuarit në zgjedhjet e fundit, të cilët kanë një zë ndryshe, që mundohen për herë të parë dhe u ulën dhe folën me votuesit e PD. Ky është tregues i pamanipulueshëm dhe në shumë fushata e marrin si referencë për të kuptuar qasjen e qytetarëve ndaj mesazhit të tyre. Sa më shumë kërkohet një personazh në google, aë më shumë persona shkon mesazhi i politikanëve. Salianji në vazhdimësi ka pasur trend rritës, ka qenë një ndër personazhet me interes më të lartë. Kjo shoqërohet edhe me rrjete sociale jo vetëm në google. Pra kemi një rritje interesi sidomos dy javët e fundit që s’ka ndodhur më përpara. Kemi parë shumë herë zëra brenda PD, por nuk janë shoqëruar me interes kaq të lartë publik. Ndoshta kjo tregon se qytetarët po kërkojnë brenda opozitës diçka ndryshe.”, u shpreh Semanaj.
Sipas tij, fakti që kjo rritje vjen në një kohë kur Salianji ka marrë lëvizje të tilla, tregon se mesazhi i tij po shkon te qytetari. Por a do të vijojë ky trend rritës për ish deputetin?
“Trendit duket në rritje. Trendet e Google ndryshojnë edhe sipas situatave dhe ngjarjeve por e rëndësishme është se pika e nisjes është se ka një rritje. Të gjithë qytetarët u informuanm, e dinë se kush është qëllimi i Salianjit dhe gjithë kolegëve të tij që po e shoqerojnë në këtë nismë dhe i ngelet kohës se si do të shkojë. “, shtoi ai.
Në fund, ai shtoi se “Nëse do flas me gjuhën e opozitës, kemi pas shumë kohësh një reagim të qytetarëve dhe militantëve të opozitës që duket se iu është rritur interesi për politikbërjen që po ndodh brenda partisë së tyre.”
Lajmi kryesor:
Salianji 'mund' Berishën! Të dhënat e Google Trends, ish-deputeti rezulton figura e parë më e kërkuar brenda PD që tejkalon kreun e saj












