Në rubrikën “Sy më Sy” në rrjetin e tij social Facebook, kryeministri Rama i është përgjigjur komenteve të ndjekësve lidhur me pyetjet e tyre për tunelin e Murrizit që u hap sot.
Por një ndër komentet për Ramën kishte lidhje me veshjen që kryeministri kishte sot gjatë inaugurimit të tunelit.
Ndjekësi e pyeti se sa kushton pallto. “Pash Zotin sa për kureshtje sa bën ajo palltoja zoti Rama se unë po e kërkoja e nuk po e gjeja!?”, shkruan ndjekësi.

Rama tha se pallton e ka blerë 20 vite më parë në Gjermani, teksa i kërkoi komentuesit që mos merret me muhabete rrobash.
"Nuk të vë faj, s'ke ça bën. S'ka ça bën njeriu kur i ha rrenat si manaferra ngaqë i shijojnë prej qejfit. Ty të kanë gjetur të uritur për rrenën e radhës bretkosat e kënetës dhe të kanë dhënë një manaferrë që unë e pij verën 30 e ca mijë euro shishja. Kështu që ti tani thua që spo e gjen dot pallton si e imja se do të thuash me demek është jashtë serie, jo mor vlla jo nuk e mbaj mend në fakt sa bënte se e kam blerë në Gjermani, para 20 e ca vitesh prandaj mos e kërko kot se i ka kaluar edhe afati i amortizimit. Mbahu pak më mirë nga goja mor burrë se nuk i shkon burrit të merret me rrobat e burrit."-tha Rama.
Lajmi kryesor:
Rama për hapjen e Tunelit të Murrizit: Jam çliruar nga një makth i vërtetë, sot mbaroi 'Odisea'
A.Q/SI.E./Shqiptarja.com

